Blog

Kapitalistucët shqiptarë

Nga: Arben Kallamata

Vëzhgim

Krejt papritur një dorë superkapitalistësh shqiptarë u bënë të interesuar dhe entuziastë për një protestë popullore, posaçërisht për kundërshtimin që i bëhet në Francë ngritjes së çmimit të karburantit. Lajm që duhet të të gëzojë, pasi ky takëm nuk para tregon ndonjë simpati për gjendjen ekonomike të njerëzve të thjeshtë, për hallet e fukarenjve dhe atyre që s’kanë ndonjë përkrahje dhe zakonisht pozicionohet në krahun e pushtetit, në krahun e të pasurve, në krahun e atyre që kanë fuqi.

Sepse kapitalistët e thekur shqiptarë edhe po të jenë vetë në përkrahje sociale, edhe kur mbajnë frymën me pensione qesharake apo mbijetojnë me pagë minimale, sa herë vjen puna për ideologji rreshtohen gjithmonë në krahun e miliarderëve. Por jo këtë rradhë. Ka ditë që ata s’po rreshtin së postuari gjithë krenari video nga protestat e popullit francez, a thua po ju hapet barku vërtet për taksën shtesë që qeveria e Makronit dashka t’iu verë padrejtësisht. 

‘E bëjnë këtë pasi duan që edhe në Shqipëri të dalin e të protestojnë kundër pushtetit,’ do thotë dikush. 
Jo, jo. Nuk është kjo arsyeja. Arsyeja e vërtetë është që protestat në Francë bëhen kundër një takse mbi karburantin që synon uljen e konsumit të karburantit dhe, tërthorazi, mbrojtjen e mjedisit. Dhe në këtë rast, të dalësh pro-mjedisit do të thotë të dalësh kundër bosëve të naftës, miliarderëve të Teksasit, sheikëve të Arabisë Saudite, gjithë atyre të pasurve që kontrollojnë sot botën dhe me të cilët kapitalistët e thekur shqiptarë, me apo pa përkrahje sociale, me apo pa pensione të mjaftueshme, me apo pa paga minimale, kanë aleancë solide. Prandaj edhe kësaj rradhe, si gjithmonë kur nxjerrin gjoksin përpara për të mbrojtur interesat e atyre të miliarderëve fukarenj që prodhojnë e shesin armë, makina, apo stoqe me shumicë - me një fjalë atyre që i kanë të ardhurat me shtatë shifra – kapitalistucët shqiptarë nuk kanë se si të mos e ngrenë zërin në përkrahje të kujtdo që, në një mënyrë apo një tjetër, lufton për shkatërrimin e mjedisit. Se fundja, të vegjëlve poshtë zjarri le t’iu bjerë, mjafton të mos iu tkurren fitimet atyre atje lart.

Tagged under Arben Kallamata