Protesta e mbijetesës!
- Nga: Jeta Dedja
Kurrë më parë (gjatë viteve të demokracisë) një ministre nuk ka qenë kaq servile dhe e bindur deri në verbëri ndaj njëshit dhe patetike ndaj publikut. Kurrë më parë nuk ka patur një qeverisje kaq lakngushtuese sa kjo e sotmja.
Prandaj rrugët u mbushën plot me studentë e mbështetës të tyre jo vetëm për të protestuar për tarifat e kërkesat e tjera ndaj qeverisë, por edhe për të protestuar ndaj vjedhjes së shpresës që prej kohësh ndodh para syve të shqiptarëve.
Ata protestojnë si për t’i thënë gjithë botës se janë luftëtarë të mbijetesës, sepse kjo protestë nuk është si ajo e 8 dhjetorit kur sistemet ndërroheshin dhe shpresa sapo kishte lindur. Kjo protestë është për të mbijetuar, për t’i dhënë jetë edhe njëherë shpresës në vendin e lindjes.
Studentët po protestojnë ashtu siç bën njeriu kur provon edhe një herë shansin e fundit para se të vërë në punë planin B. Dhe në këtë rast plani B, nënkupton largimin nga Shqipëria.
Kurset e gjuhëve të huaja janë plot, studentët dhe plot të tjerë shqiptarë, përgatiten për të marrë udhët. Kërkon guxim të madh të lësh vendin tënd, kërkon dhe aftësira sociale që të përballesh me ndryshimet e mëdha.
Por pse një shumicë duhet të lërë vendin, kur ka një rrugë tjetër më të shkurtër për të sjellë shpresën në vend? Kjo protestë masive dhe me mbështetje nga shumica e popullatës pa përkatësi partie, duhet të sjellë jo vetëm realizimin e kërkesave të tyre, por edhe dorëheqjet e rastit të atyre që janë përgjegjësit e vjedhjes së shpresës.





















