Dardha europiane -(Ëndrra që e kishte bishtin prapa...)
- Nga: Artan Gjyzel Hasani
Sikur energjia e të gjithë shqiptarëve, intelektualëve, studentëve, politikanëve, mediave të këtyre 30 viteve të tranzicionit të turpshëm të mos ishte harxhuar për të “hyrë në Europë”, por për ta bërë Shqipërinë si Europa, por pa hyrë në të, pa iu nënshtruar në mënyrën me poshtëruese qindra zagarëve burokratë të saj, qindra reformave që nuk kanë të sosur, qindra vendimeve dhe detyrave shtëpie të tyre, sot do kishim bërë një Shqipëri shumë herë më të mirë se kjo që kemi...
Një gafë e pafalshme. U hipnotizuam nga slogani ynë i pastër kristal “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Mund ta kishim bërë pa hyrë në ingranazhet e tmerrshme burokratike dhe pazaret agresive të një Europe që di të shtrydhë mirë limonët edhe kur nuk kanë më lëng...
Është e pamundur që një vend kaq i vogël, me 3 milion banorë dhe me resurse të mjaftueshme natyrore të mos bënte prokopi në një ekonomi reale tregu...
Këto mendoj tani ndërsa shoh në hartë që e tërë Shqipëria është sa 4 Toronto si sipërfaqe dhe sa gjysma e saj në popullatë...




















