Blog

Reflektim mbi bisedimet shqiptaro-serbe

Nga: Kostandin Ristani

Nuk mund të pranoj që ato janë bisedime vetëm kosovaro-serbe (agresorët gjithmonë  zbatojnë  parimin disa mijëravjeçar “përça e sundo”) në  lidhje me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia, BE dhe integrimin e tyre në BE e më  tej.

I qëndroj vendosmërisht këtij përcaktimi filozofik dhe politik modern: shteti Serb - jo populli serb - ka qenë  për qindra vjet, deri në fundin e shekullit të kaluar, një shtet agresor e vrasës ndaj shqiptarëve, me program të publikuar dhe të propaganduar shovenist e çfarosës ndaj shqiptarëve, deri në mohimin e të qenit qenie njerëzore.

Nuk e di se sa lexuesit e këtij reflektimi e kanë shetitur Kosovën pas agresionit të dëbimit e çfarosjes serbe. Qindra varre, ndofta mijëra në të gjithë Kosovën, me viktima të pafajshme, të masakruar, përdhunuar e vrarë vetëm pse ishin shqiptarë dhe që, sipas teorive ultrashoveniste dhe çfarosëse serbe, nuk i përkasin klasës apo racës njerëzore.

Jo dhe absolutisht jo, nuk duhet të ketë bisedime të barabarta me një agresor çfaross të  tillë , pa e vë në nën trysni publike dhe zyrtarisht shtetin Serb të  bëjë  deklarata publike krim-pranuese gjenocidi përpara Asamblesë së OKB dhe Asamblesë së BE.

Në proporcionin e popullsisë shqiptare, agresioni dëbues e çfarosës i shtetit Serb është i krahasueshem me genocidet më të tmerrshme të historisë njerëzore në kohët moderne. Vetëm diktatori tiran Hoxha ndofta do të kish guxuar t’i thoshte BE, siç i tha fqinjit të Jugut, që shqiptarëve “u prishet gjiza” që nuk na njihni e deklaroni gjendje lufte. Po ç'të bësh e ç'të  thuash kur ke drejtues shtetesh shqiptare të rekrutuar e të perulur ndaj të huajve që ose mbrojnë ose kanë  tërthorazi infiltrimin serb.

Oh Zot, si nuk ka sot një burrë shqiptar apo grua shqiptare, tu thotë demagogëve hipokritë perëndimorë që kur Parlamentet tuaja kërkojnë falje publike të solemnizuara e ceremoniale deri në  kompensim monetar për krimet monstruoze që  kryen Evropianet disa shekuj më  parë  përmes skllaverimit kundrejt racave të  tjera dhe abuzimeve që  u bënë “First Nations”, juve jo vetëm që heshtni, por në mënyrë denigruese kërkoni e ngulni këmbë me kushte poshtëruese që të ulemi në një tryezë  me agresorët e çfarosësit tanë shekullorë!

Reflektimi im nuk është aspak intolerancë por është thirrje për “justice, fairness, respect and dignity”. Këto janë fjalët kryesore dhe principet e kartave kushtetuese të të Drejtave Themelore të Njeriut të shteteve perëndimore dhe të OKB, ndërsa qëndrimi i tyre ndaj shtetit agresor Serb në lidhje me shqiptarët është shumë i diskutueshëm dhe dyfytyrësh.

Tagged under Kostandin Ristani