Blog

Loti me aromë bliri

Nga: Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës)

Kur unë isha në klasë të dytë fillore motra mbushi 4 vjeç. Jam shumë i saktë në këto që po rrëfej se kanë lënë shenja. Sa vinte ora 5 mbasdite e oborri ziente nga lojrat me top, unë duhej të vrapoja në kopësht që ta merrja atë. E hidhja në kurriz dhe ecja duke gulçuar që të arrija kalamajtë. Por ose luaja pak se nuk ngelej kohë, ose ekipet ishin formuar e rrija në cep të pallatit si një shikues i thjeshtë.
Atë vit motra u sëmur. Mbaj mend se i rrinin tek koka gjyshja, nëna, babai. Ne me vëllain ndiqnim ngjarjen që nga dera e dhomës, kur hapej e mbyllej nga hyrje-daljet e nënës e gjyshes. S'kuptoja çfarë kishte, por pashë babain që qante. Nuk e mora si shkak të vuajtjeve të motrës, por si dashuri të prindit për motrën. U bëra shumë xheloz. Mu ngul në tru që ai donte atë më shumë. Ia thashë edhe vëllait, një vit më i vogël. Ai më dëgjoi e propozoi:
-Të gjejmë një baba tjetër! Sa më shpejt!
Përmendi Razon,Vasilin, Petron... Nuk ia miratova se nuk ishin të bukur e të qeshur si babai.
Vitet kalonin e sa më shumë rriteshim me kast e ngacmonim:
-Hajt, mo, e dimë që motrën do më shumë! Pranoje se nuk të dënojmë.
Ai qeshte. Thoshte jo dhe thyente gishtin drejtues:
-Kështu u bëfsha,si plak i kërrusur,po qe e vërtetë!
Në mbarim të universitetit u shtrova në spital urgjent. Operacion apandesitin. Nuk lajmërova kënd. Vetëm vëllain mora në spital. Isha i rritur e s'ja vlente, dukej sikur kisha frikë. Por kur unë hyra në sallë vëllai lajmëroi nënën e babain. Nuk ndjeva asgjë pasi më shtrinë te krevati ku më operuan. Numërova deri 30, mbaj mend. Më pas çela sytë në një dhomë si kapanonet e aksioneve, mbushur me njerëz e me rënkime. Si spitali te romani i Remarkut "Tre shokēt ".
Përballë më doli fytyra e babait. Ua, ai po qante. Po qante për mua! Hapja e mbyllja sytë se më dukej ëndërr. Lotët i rridhnin faqeve buçko. I mbylla sytë shpejt. Doja të rrinte sa më gjatë e të qante sa më shumë.
Pra më donte sa motra. Ja prova. Hapa pak njërin sy dhe loti i tij më ra në faqe e rrëshqiti drejt buzës. E preka pak me majën e gjuhës, si fshehurazi. Nuk ishte e kripur, siç shkruhet në libra. Por as i ëmbël. Vinte erë si bliri poshtë ballkonit tonë. Zgjata dorën dhe ia kapa të dy faqet:
-Jam mirë, babush. Mos qaj se do bësh xheloz vëllain.
Ai qeshi dhe nxori para gishtin tregues. E përtheu e shumë serioz tha:
-Betohem që u dua shumë dhe njësoj të katërve. 
Futi edhe nënën te garumblli i fëmijëve. U përlota, por nuk nxora dot fjalë. I putha gishtat, i fshiva lotët. Harrova që sapo isha operuar...

 

Tagged under Agim Xhafka