Blog

Afrim Krasniqi: Vettingu politik, standard për të gjitha partitë!

Nga: Afrim Krasniqi

Nuk mund të ketë vetting për çdo ndihmës gjyqtar, këshilltar, asistent apo student të magjistraturës dhe të mos ketë për deputetët e komisionit të ligjeve në Kuvend, për ministrin e drejtësisë, për kryeministrin dhe zyrtarët e tjerë të lartë.

Zgjidhja? Nuk jam për përfshirjen në Kushtetutë të epiteteve fyese për memorien tonë shoqërore, si p.sh, lidhja me krimin, por jam me parimin dhe për këtë ka mekanizma të tjerë që mund ta jetësojnë pa ndërhyrje në Kushtetutë. Ja p.sh, me një ndryshim në ligjin e partive politike ose me një Kod Etike të gjithë pranuar, partitë që kanë potencial për fitoren e mandateve në zgjedhjet vendore e parlamentare të pranojnë e zhvillojnë vetting brenda strukturave të tyre, në kryesi, në stafin e lartë drejtues, për listën e kandidatëve për këshilltar, kryetar bashkie e deputet. Nëse një parti e vetme nga tri partitë e mëdha e merr këtë iniciativë dhe e zbaton fillimisht në radhët e saj, atëherë kjo do të imponohet si standard për të gjitha partitë.

Pyetjet (ende) pa përgjigje pozitive mbeten: A janë të gatshme partitë të testohen vetë përpara se të kërkojnë të testojnë të tjerët? A keni parti në Shqipëri që nuk ka frikë nga vettingu dhe që realisht e pranon atë? A do të shënojë SPAK fillimin e fundit të elitës së korruptuar politike, e cila në bashkëpunim direkt ose indirekt mban peng sistemin vendimmarrës, sistemin përfaqësues, ekonominë, shoqërinë dhe shanset për ndryshim?

Tagged under Afrim Krasniqi vetting