Blog

Gruaja  e festave-nga Agim Xhafka

Kur vdiq Maku e la shumë të re Ritën. As 30 vjeçe. Dy fëmijët ishin 8 Gersi dhe 6 Ola. U largua pa shumë vuajtje dhe rënkime. E rrëmbeu një sëmundje agresive. Në shtëpi pllakosi dhimbja, trishtimi, ankthi, dëshpërimi. Rita nuk mendonte kurrë se në apartamentin e ri, kishin tre vjet që e blenë, do hynte morti. Pati shumë miq, të afërm, prindërit e saj dhe të Makut, që ia largonin disi dhimbjen gjatë ditës. Por natën i dukej sikur gjysma e krevatit i lëvizte dhe në gjumë i fliste:

-Maku, s’po të zë gjumi? Ç’ke?
Në çast hapte sytë dhe shihte që ajo pjesë ku flinte i shoqi ishte e sheshtë dhe e paqtë si lëndina para shtëpisë në vendlindjen e saj.
Mendoi se do marrosej, por në ato çaste i dilnin para fëmijët dhe e mblidhte veten. Ata nuk kuptonin mirë se ç’gjëmë u ndodhi. Mendonin se mungesa e babait ishte e përkohëshme dhe një ditë ai do hynte vrulltas nga dera dhe do i përfshinte me krahët e tij të mëdhenj e plot muskuj. Do i shtrëngonte aq fort sa ata do bërtisnin: ”Hej, mos na shtrydh!”
Iknin ditët dhe pyetjet e fëmijëve, pse nuk vjen babi, u shpeshtuan. Rita sajonte plot përgjigje, por ata nisën ta shohin atë si një rrenacake të rëndomtë.
Një drekë, sa erdhën nga shkolla, ajo i priti te dera duke qeshur. Ky gaz në fytyrën e saj ishte një përgjigje pozitive e pritjes së tyre.
-Erdhi?- pyetën me një frymë.
Rita tundi kokën për t’u kumtuar jo, por në kuzhinë i priste një tortë e bukur me ca qirinj sipër.
-Sot ka ditëlindjen babi,-u tha ajo.-La porosi që qiririn ta fryjë Ola.
Ola nuk e zgjati. Mori frymë dhe e lëshoi si tornado. U fikën qirinjtë, por ajo ditë qe vërtet ditëlindja e gëzimit. Fëmijët mendonin dhe ishin të sigurt se babai qe nisur drejt shtëpisë. Vlaga e kësaj ditëlindje nisi të ftohej, por Rita ndezi zjarr tjetër. Vendosi prapë tortë.
-Ditëlindje?- pyetën ata.
-Jo, sot është festa e ullirit. Pema që na jep shëndet dhe fitimtarëve u vendos kurorë në kokë. Do e fryjë Gersi qiririn.
Kështu mes gëzimeve të vogla, po ngrihej tokmaku që shtypte trishtimin. Pastaj erdhën ditëlindjet e tyre, më pas Rita sajoi festën e gjyshërve, të shkollës, të luleve, bile deri të rrugicës ku banonin. Nuk kishte ditë pa gëzim, pa lajm të ngrohtë dhe pa atë ritualin se babai këto festa i ka shumë për zemër. Vetë ai më ka shkruar që mos harrojmë t’i festojmë, u thoshte Rita fëmijëve.
Muajt ranë nga kalendari dhe viti tjetër solli një agjendë interesante në atë familje. Që nuk e kishin as fqinjët, askush. Plot data rrethuar me të kuq. Sipër tyre shkruar “Festa e Ujit”, “Dita e Bukës”, “Gëzimi i Tokës”, “Dheu i Begatë”, “Emri i Veçantë”, “Stadiumi i Kampionëve”...

Një familje që ditët i mbushi me evente. Të sajuara, por të organizuara e të jetuara si të vërteta.
Dalëngadalë shprehja, e kam porosi nga babi për të festuar këtë ditë, nisi të zbehej, të mos thuhej. Se ato u shënuan në kalendar dhe nisën jetën e tyre siç një fëmijë që del nga materniteti nis e qan, fle dhe do të ushqehet pa pyetur për prindërit..

Këto festa ishin ajo cipa e hollë që sado pak mbuloi hidhërimin. Harresa është proces i kujtesës, thuhet në psikologji. Kështu ndodhi dhe me Ritën, Gersin e Olën. Ravijëzuan ditë të bardha jo që të harronin babain, por të zhduknin kornizën e zezë te portreti i tij i qeshur. Ta mbanin atë nën dritën e fortë të përfytyrimeve.
Vitet vrapuan. Fëmijët u rritën. Mësuan udhëtimin e vërtetë të babait, fluturimin e tij atje larg, larg dhe ndërkohë nuk iu ndanë riteve, se e keqja përballohet me shpresë, me dritë, me festa dhe harresa të vogla...