Endrit Mullisi: I kam zili fjalëpakët dhe punëshumtit!
Më bëri përshtypje sot një burrë 91 vjeç. Quhet Fred. Erdhi në kishë* dhe solli një qese që kishte 6 palë çorape të reja, meqenëse këtë jave po mblidhen çorape e doreza për ata që kanë nevojë.
Pse del ky person në mes të të ftohtit për të sjellë diçka të vogël nga ana financiare ($6) për të ndihmuar të panjohur? Pse ende ndihmojnë njerëz të tillë të tjerë që ndoshta përpiqen me pak për përmirësimin e jetës së tyre?
Kur shoh të rinj që lypin nëpër rrugë, apo të tjerë që protestojnë për shkak të mosbarazisë, më vijnë parasysh njerëz të thjeshtë si Fredi, që bëhen gati të mbushin 100 vjeç. Këta njerëz që ndërtuan shoqërinë kanadeze, ndoshta po rrallohen në llojin e vet. Po zëvendesohen me të babëzitur, që vijne nga çdo skaj i botës dhe sjellin dhe mentalitetet babluke me vete. Kushedi sa imigrantë, edhe shqiptare, që kanë duar e këmbë, u qurraviten punonjësve socialë që të marrin para falas, ushqime falas dhe rroba e shërbime falas, ndërsa njerëz si Fred, ende mendojnë si t’u dhurojnë të tjerëve nga ajo pak që ata kanë.
Çfare gjaku rrjedh në venat e duardhënësve? A nuk është i njejtë si ai i qylaxhijve?
Çfare mendimesh lëvizin në kokën e të dy tipave? Kush i influencon ato? Prej nga vijnë?
Njerëz si plaku i urtë Fred janë modelet e mia. Ashtu si ata njerëz që ndërtuan shoqëritë me dashuri për Zotin dhe të tjerët në shekujt që kaluan.
Nuk më terheqin fotot tuaja me rrobat e shtrenjta përpara makinave luksoze. As fotot nëpër restorante luksoze dhe as ato me dikë që është me i famshëm sesa ty. Janë veç një fasadë e një bote pa reliev, pa ngjyra dhe pa përmbajtje të qendrueshme.
Nuk të kam zili ty dhe gjerat e tua, por kam zili ata njerëz me zemër më të madhe sesa e imja, që japin buzëqeshje edhe kur u dhemb shpirti i tyre. Sepse buzeqeshja e tyre është ilaç për shpirtin tim.
I kam zili ata njerëz që japin pak dashuri. I kam zili ata njerëz që nuk i reklamojnë veprat e tyre bamirëse në çdo rrjet social. I kam zili fjalëpakët dhe punëshumtit!
*Autori është pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare të Torontos





















