Venezuela, Shqipëria dhe standartet e dyfishta - Nga Klodi Stralla
Ajo që në jetën individuale konsiderohet dyfytyrësi, e thënë shqip, të tjera bën e të tjera thua, në marrëdhëniet mes shteteve quhet “Standart i dyfishtë”, d.m.th, për të njëjtën ngjarje apo të përafërt me të, kur duhet të mbahet i njëjti qendrim, realisht mbahet një qendrim i ndryshëm.
Pse ndosh kjo? Sepse në marrëdhëniet mes shteteve vepron parimi i interesit dhe jo ai i moralitetit, parim që në këtë shekull që kemi hyrë po vepron fuqimisht edhe në marrëdhëniet mes njerëzve.
Në një vend të largët nga i yni, në Venezuelë, opozita është ngritur në revolta masive ndaj qeverisë së presidentit Maduro, duke e akuzuar atë se po qeveris me vota të vjedhura apo të blera. Edhe tek ne opozita braktisi Parlamentin dhe po organizon revolta masive, po për të njëjtat arsye.
I ndryshëm është vetëm qendrimi amerikan ndaj të dy këtyre ngjarjeve të ngjashme dhe sipas parimit të “standarteve të dyfishta”, amerikanët duhet të kenë, me siguri, interesa të ndryshme në të dy këto vende.
Thuhet se venezueliani Maduro është diktator, ndrësa Rama ynë jo. Por askush se mohon se në Venezuelë ka opozitë, pra pluralizëm politik, bile parlamenti aty është me shumicë nga opozita dhe kryetari i saj është vetshpallur president i vendit.
Thuhet se Maduro ka nacionalizuar naftën, burimin me vlerë më të madhe për vendin dhe e përdor atë për interesat e veta. Por tek ne, ndonse s’ka mbetur burim i pasurisë kombëtare pa u privatizuar, është fakt që të ardhurat e tyre ndahen midis një elite të ngushtë rreth pushtetit (oligarkëve) dhe kompanive ndërkombëtare neokolonialiste.
Në Venezuelë nuk thuhet se gjykatat dhe prokuroritë i kontrollon Maduro, si thuhet për Ramën tek ne, përndryshe opozita aty do të përndiqej dhe nuk mund të shpallte dypushtetin.
Këto e shumë të tjera si këto të detyrojnë natyrshëm të pyesësh: Pse amerikanët mbajnë qendrime të ndryshme ndaj regjimit të Maduros dhe atij të Ramës? Të parin e quajnë të paligjshëm dhe të dytin të ligjshëm.
Gjithsecili le ta mendojë vetë, une vetëm sa shtrova pyetjen…



















