Blog

Pikëpyetjet e një mësuesi nga Montreali mbi çfarë ndodh në Shqipëri

Nga: Rushan Xhaferi

Politikë apo gjeopolitikë? Fati i vendeve të vogla është lodër në duart e superfuqive. Shqipëria e ka hequr në kurriz. Kosova e ka vuajtur me dhimbje.

Alain Juillet, ish-këshilltar për Inteligjencën ekonomike i kryeministrisë franceze, në Drejtorine e Përgjithshme te Sigurisë së Jashtme në France (DGSE), (ekuivalenti i SHISH Shqiptar), ne vitin 2016, bëri disa deklarata të forta përpara Senatit francez mbi fillimin e luftës në Siri. Luftë, që sot e kësaj dite vazhdon, me pasoja të tmerrshme dhe unë si mësues në Montreal e ndjek këtë realitet nga tregimet e nxënesve sirianë që kam ne klasat e mia çdo vit.       

Alain Juillet flet qartë, shkurt dhe është preciz. Historia zyrtare për luftën në Siri është kryengritja e popullit kundër regjimit sirian. Versioni i Alain është ndryshe. Në fund të viteve 90, Irani zbuloi rezervat më të mëdha të gazit në botë me emrin South Pars, që ndodhen në nëntokën e Iranit por që dhe Katari mund ti marrë me një çpim prej 45 grade. Katari dhe Arabia Saudite projektuan një plan për të shfrytëzuar këto rezerva gazi, për t’i transportuar drejt Evropës, duke kaluar nga Siria, për t’i bërë konkurence gazit rus. Një fat i madh për Evropën që të shkëpuste varësinë nga Putini. Irani pati idenë të bënte një gazsjellës që kalon në Irak dhe më pas në Siri për të shitur gazin në Evropë. Projektet u elaboruan në 2010. Në 2011, presidenti i Sirisë Bachar el-Assad pati dy propozime. Propozimin e Katari dhe atë të Iranit. Presidenti i Sirisë zgjodhi ofertën e Iranit. Ndoshta gabimi më i madh i tij.      

Ish-keshilltari francez nuk deklaron troç se çfare ndodhi, se është diplomat, por shtron një hipotezë dhe bën pyetjen që vijon. “Pa dyshim, rastësisht, 3 javë më pas, nga vendimi i Bachar el-Assad, filluan trazirat. Mund te bëjme pyetjen në mënyrë shumë të ligjshme, për të ditur në qoftë se është një luftë lirie apo një luftë për gazin?” Koment që është më se i qartë mbi arsyet e vërteta të luftës në Siri.     

Përse flas për këtë fenomen? Politika, është ne rradhë të parë gjeopolitikë. Të mendosh në mënyrë ordinere se a ka burra në Shqipëri është e papërgjegjshme dhe ofenduese për gjithë popullin shqiptar: për burrat, gratë, të rrinjtë, të rejat, të moshuarit por dhe për Selam Musanë, xhaxhain e gjyshes time. Ata që në këtë moment mendojnë se Shqipëria është duke marrë flakë, janë po ata që po i vënë zjarrin. Këta janë “pompier pyromane”, me një fjalë, zjarrëfikës që janë në origjinë të zjarrit.  

“Kur njeriu i urtë tregon hënën, idioti shikon gishtin”, thotë një fjalë e urtë kineze.

Te hapim horizontet dhe të shikojme më larg

Ku është lidhja me ngjarjet në Shqiperi në shkurt të 2019? Tre raste: 2 korrik 1990, 1997, Kosova.   

Çfarë ka ndodhur në 2 korrik 1990? Në Tiranë u hapën ambasadat. Hapi i parë zyrtarisht (ndoshta i dyti apo i treti në të vërtetë) për shëmbjen e diktaturës nisi me frikën në bark por mbi të gjitha vazhdoi me guximin e qindra personave për të kaluar muret e ambasadave. Fenomeni ishte sa i fortë dhe çlirues. Por, në veri-lindje, një tjetër fenomen po ndodhte. Blendi Fevziu e shtroi si hipotezë në një nga emisionet e tij “Opinion”. A u hapen ambasadat në atë moment në Shqipëri për të hequr vëmëndjen nga një tjetër eveniment po aq i rëndësishëm në Kosovë? Në 2 korrik 1990, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese që shpalli Kosoven njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave. Ky akt historik humbi interesin në atë moment, sepse dëshira për liri e të njëjtit popull mori gjithë vëmendjen ndërkombëtare.    

...

17 vjet më vonë, në 1997¸ në të gjithë Shqiperinë (gati, gati), u hapën depot e armëve. Pasi në Vlorë iku e gjithë policia dhe qyteti mbeti pa rend, një qetësi e çuditshme mbizotëronte. Por, asnjëri nuk kishte nevojë për armë, sepse asnjeri nuk kishte armë. Një mëngjes, u hapën depot, dhe kur njerëzit u shtynë të shkonin nëpër kazermat e ushtrisë shumë pak armë gjendeshin aty. Ku vajten ato armë? A vajtën në Kosovë apo diku tjetër? Armët u zhdukën. A u prish Shqipëria për të filluar luftën në Kosovë?  

...

Është e çuditshme që në të njëjtën kohë, që prej një viti që flitet për kufijtë e Kosovës dhe në negociata vendimtare për të, gjëndja në Shqipëri fillon dhe sa vete më shumë e përkeqësohet. Duhet kuptuar që kjo situatë në Shqipëri nuk i shërben askujt. As pozitës, as popullit, por dhe as opozitës, sepse situata është e jashtëzakonshme dhe mund të marrë në të gjitha drejtimet.    

...

Pa sharë burrat shqiptarë, siç bëri dikush, por duke pasur ide të qarta, lind një reflektim mbi kombin tonë. Ne çdo moment kyç që Kosova ka patur nevojë për ndihmë dhe forcë të pranishme, Shqiperia nuk ka qënë asnjëherë e fortë. Gjithmonë e dobët nga brenda, gjithmonë në krizë të thellë. A është e qëllimshme? Nga kush? Kush vendos? Kush komandon? Kush dëmton? Nuk është nevoja të ngjallim përbindsha të vjetër, por Greqia nuk ka qënë asnjëherë një popull mik, siç mendonte Enveri, dhe Serbia do te jetë gjithmonë Serbia.      

Shfaqja e këtyre konflikteve në rajon rikujton disa fantazma të zënkave shekullore në Ballkan. Këto manovra, që nuk e dijmë se nga vijnë, mund të jenë të rrezikshme për Shqiperinë dhe Kosovën, në një moment kur Bashkimi Evropian po kalon disa kriza, sepse duhet ta pranojmë që ne jemi vetëm një monedhë shkëmbimi për këto superfuqi.    

Mbesa ime, Orda, më këshilloi të lexoj më shumë për të kuptuar më mirë situatën në Shqipëri. Ndoshta. Megjithatë, të qënurit jashtë të jep një pespektivë që nuk e kanë bashkëkombësit në atdhe. Le të gabohem, por në qoftë se jo, si tha Romeo i Shekspirit, ne jemi lodër e fatit, (ose e superfuqive perëndimore).

Tagged under Rushan Xhaferi