Blog

Arratisja nga vendi më i lumtur në rajon - Nga Lis Bukuroca

2014 Kosova vendi më i lumtur në rajon.

2015 Kosova, vendi më i lumtur në rajon.

2016 Kosova vendi më i lumtur në rajon.

2017 Kosova në vendin e 76 në botë.

2018 Kosova vendi më i lumtur në rajon.

2019 Kosova vendi më i lumtur në rajon.

Për 5 vjet, më shumë se 170 mijë qytetarë kanë ikur nga vendi i lumturisë!

Dokument i Bankës Botërore: "Emigrimi ndërkombëtar nga Kosova është ndër më të lartët në botë” - Raport Nr. 60590 – XK.

Vizat nuk hiqen nga frika se nga vendi më i lumtur në rajon, ikën pjesa dërmuese e rinisë!

Të jesh i izoluar, të kesh shkollat më të dobëta, administratën më të korruptuar, qeveri me 100 ministra e zëvendës, shtetin e pasovranitet në veri dhe të papërfunduar dhe të deklarohesh më i lumtur, atëherë je ba për me të fry te Burdushi, te Hashimi, dhe te Ramushi, sepse fatkeqësinë dhe mjerimin e konsideron lumturi!

Nga qindra pyetje që u shtrohen njerëzve në botë, tre faktorë janë marrë në konsiderim për përcaktimin e lumturisë së njeriut. Kjo është radhitja: “Haben, Lieben, Sein.” Me pasë, (domethënë puna dhe fitimi i mirë) me dashur dhe me qenë, (dmth. shëndeti). Nëse merren me mbi 30 për qind veç e veç puna dhe dashuria, atëherë nuk mund të flitet për vend të lumtur, por për vend të stërvitur për të mashtruar edhe ata që kanë anketuar banorët e lumtur!

Në vitin 2015 nga një anketë reprezentative e UNICEF-it u mësua se 46 % e djemve seksualisht jo aktivë në Kosovë, kishin pasur mardhënie seksuale, por vetëm 9% e vajzave jo aktive! Me kë bënin seks ata 37 për qind, nuk dihet!

Edhe rezultati i lumturisë së tanishme shpjegohet me mungesën e kulturës së sinqeritetit! Një shoqëri me diku 35% të papunë, nuk mund të jetë e lumtur! Pa llogaritur edhe pagat e vogla, që dëmtojnë lumturinë e njeriut!

Hej, makiavelistë, “kurrë nuk i kemi pasur punët më mirë se sot!” - K. Veseli.

Varet si përjetohet ajo gjendje dhe nga kush. Në kohën e Millosheviqit iknim në këmbë. Në epokën tuaj, me autobus dhe avion. Konstatimi është vetëm pjesërisht i saktë, sepse po ikën rinia, çfarë për vendin është njëlloj tragjike; është zbrazje, është shpërbërje e familjeve, është asimilim i ardhshëm, edhe pse me më shumë komoditet, mirëpo është përsëri vetëm ikje më e shpejtë dhe më efektive! Ikje për t’u mos kthyer kurrë, ose për t’u kthyer si kufomë! Në këtë gjendje, së paku nuk përkapen (perceptohen) dëbuesit.

Për jetën e njeriut, nuk është edhe aq me rëndësi nga kush po arratiset ai, por se po detyrohet të braktisë vendin e vet!

Nëse anuloni vizat, do të ikin pjesa dërmuese dhe pastaj aty dhe vetëm aty, do të lexohet se sa mirë i keni ju punët dhe sa i mirë i ka populli!

Hej makivaelistë, diku çdo i gjashti amerikan është me origjinë gjermane, por sot janë amerikanë. Edhe Trumpi është me origjinë gjermane, por askush nuk mburret me të në Gjermani. Ju edhe përgjysmimin e popullit do ta konsideroni sukses!