Blog

Misioni ynë kombëtar - Nga Xhevdet Nasufi

Politikbërja shqiptare në kohë të fundit realisht është shqetësuese. Po ndërtohet diskurs politik jo vetëm shpërputhës me interesat e kombit, por edhe realisht jetësohen veprime, që falë gjeostrategjisë amerikane dhe më gjërë mund të agravojnë në krizë të thellë kombëtare.

Fillimisht, veprimet e këtilla reflektojnë paqartësi, por edhe më shumë se kaq, mashtrim të madh. Kjo nuk i shkon në mbështetje zhvillimit të demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, por as pozitës së gjithëmbarëshme socio-ekonomike dhe politike të shqiptarëve kudo që jetojnë, në raport me vetveten dhe të tjerët. E tërë kjo paqartësi dhe katrahurë është përpjekje idioteske që e tanishmja absurde të ketë jetëgjatësi, prej të cilës mund të përfitojnë vetëm politikat antishqiptare, por edhe krerë të caktuar aktualë të politikës në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, përkundër favoreve të sotshëm dhe historikë.

E para është se shqiptarët janë popull i pashembullt solidar mes tyre në momente krize (kujtoni luftën në Kosovë, në Luginë e në Maqedonin Veriore), por edhe me të tjerët dhe me dy shtete në Ballkan;

E dyta është se krahas tërë kësaj, kemi edhe mikun më të fuqishëm në botë, SHBA-në e proverbi thotë “më mirë një mik, se një çiflik”;

E treta është se sot populli shqiptar si asnjëherë gjer tani ka parakushte reale të mundshme për të qenë shumë më i zhvilluar, shumë më i pasur, shumë më evropian dhe i integruar përkrah demokracive liberale, por shikoni se në çfarë udhëkryqi është: Kosova para rihapjes absurde të dialogut për status me Serbinë, Shqipëria edhe më keq se para katrahurës së vitit 1997, kurse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duke promovuar joshqiptarë në tubime presidenciale, përfundimisht groposin Marrëveshjen Kornizë të Ohrit si shpresën e fundit për shtetformësi të barazuar me maqedonasit, për të sfiduar vazhdimësinë e ndërtimit të shtetit e një etniciteti. Kjo shqiptarët i godet rëndë politikisht, i dëmton rëndë ekonomikisht por edhe i largon dhe i vonon dukshëm në proceset integruese!

Jemi dëshmitarë por edhe të vetëdijshëm se gjatë tërë kohës së tranzicionit mediatimi ndërkombëtar (Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian) kanë qenë element i pashmangshëm në jetën politike të shqiptarëve, por mjerisht edhe në mes të forcave të brendshme politike. Ky është sinjal ogurzi. Kjo reflekton mungesë absolute të vetëdijësimit kombëtar, mungesë bashkveprimi dhe bashkpunimi politik ndërshqiptar, por edhe mungesë absolute të unitetit për të përparuar dhe zgjidhur çështjet madhore kombëtare siç janë: Konsolidimi i demokracisë në Shqipëri dhe lufta ndaj korrupsionit, konsolidimi i shtetit në Kosovë dhe marëdhëniet me serbët dhe Serbinë, përforcimi i elementit të shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedonin e Veriut.

Në variantin edhe më të butë, po zbehet gjithnjë e më shumë përkrahja e miqve ndërkombëtarë për shqiptarët, me të cilët ndërtuam NATO-n në Shqipëri, Shtetin e pavarur të Kosovës dhe elementin për të qenë shtetformues me Marveshjen Kornizë të Ohrit në Maqedonin e Veriut.

Që kjo gjëndje e rëndë dhe shqetësuese duhet tejkaluar me mençuri dhe urtësi, është e padiskutueshme. Por, referuar praktikave pozitive, është e pabesueshme që kjo gjëndje të tejkalohet dhe konsolidohet nga individët dhe figurat që me dekada e kanë sajuar dhe shkaktuar vetë këtë.

Vitaliteti i shqiptarëve dhe individëve që të mbartin përgjegjësi historike për kombin nuk mungon edhe sot dhe nuk do mungojë as nesër. Atyre duhet t’u besojnë ata që me apo pa vetëdije ndërtuan të sotshmen e zymtë të shqiptarëve në të tre shtetet respektive, por edhe ata të tjerët që e kanë në dorë jo vetëm të përcaktojnë lirshëm politikbërjen e re shqiptare, por edhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. Kjo dhe asgjë tjetër, duhet të jetë misioni ynë kombëtar.

Tagged under Xhevdet Nasufi