Blog

Pashka, shpresë për jetën - Nga Endrit Mullisi

“Krishti u Ngjall! Me të vërtetë u ngjall!” Këtë bënim si fëmijë të vegjël ndërsa thyenim vezët e kuqe dhe uronim që veza ime të ishte më e forta. 😊 U falet fëmijëve që e gjitha që dinë mbi Pashkën është thyerja e vezëve të kuqe. U falej padituria dhe të rriturve gjatë kohës kur festimi i Pashkës ishte i ndaluar. Po sot dhe të dielën tjetër?

Tavolina shtruar, foto dhe video të çuara në grup, urime mbarësindjellëse: “Gëzuar Pashkën” - siç do bëjnë kur të vijë Krishtlindja apo Bajrami. A na falet sot që e kujtojmë Pashkën thuajse veç me të ngrëna e të pira? Mblidhen dhe kërcejnë për Pashkë e Bajram shpesh të njejtët njerëz pa ditur as kuptimin dhe as ndryshimin. Rëndësi ka sebepi. Rëndësi ka që të themi urimin e mirë. Ende me sa duket kemi mbetur paganë në shpirt. Më parë nuk dinim, tani ndoshta nuk duam të dimë.

Kur lajmi u përhap që varri ku ishte vendosur trupi i Krishtit ishte bosh, nuk po e besonin as ndjekësit e tij të afërt. Aq më tepër që të parat që e panë Krishtin të ringjallur ishin gra: si është e mundshme që Krijuesi gjenial t'u shfaqet grupit që në atë kohë (por dhe sot në shoqëritë me baza jo të krishtera) ishin klasë inferiore? Dëshmia e një gruaje nuk kishte të njëjtën vlerë si e ajo e një burri. Shkrimet e Shkrimet e Shenjta na tregojnë që Kleopa dhe një tjetër dishepull e takuan Krishtin e Ringjallur (dhe s'e njohën në fillim) në rrugë dhe biseduan me të. Krishti i ringjallur iu përgjigj dyshimit dhe skepticizmit të tyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!”

Për Krishtin ishte parashikuar shekuj më parë dhe judenjtë i kishin ruajtur me kujdes të gjitha profecitë, por nuk prisnin që zgjidhja e problemit të skllavërisë dhe lirisë të vinte nga një person i lindur në një qytezë të panjohur, rritur në një familje pa status social dhe ekonomik. Nuk prisnin që Krishti/Mesia të vdiste në kryq. Ata donin që Krishti të zgjidhte problemin e tyre dhe ata ta duartrokistin dhe brohorisnin siç bënë në ditën e palmave. Ata nuk donin një shpëtimtar që dorëzohej me dashje për t’u vrarë. Ata donin një luftëtar që përdorte supefuqinë kundra armiqve.

Edhe sot ne jemi ende budallenj dhe mendjengathët për të kuptuar. Deklarojmë emra të mëdhenj lëvizjesh, ngremë lart emra njerëzish që do të ndryshojnë kombin tonë. Dhe kur ata na zhgënjejnë kërkojmë për emra të tjerë dhe ndërkohë pimë kafe dhe bëjmë ahengje si për Pashkë dhe Bajram. Ankohemi sepse zgjidhjen e kërkojmë tek të tjerët, tek vdekatarë të tjerë, tek ata që bërtasin më shumë dhe mburren më shumë, tek ata që duan të përfitojnë ndoshta më shumë sesa ne, prandaj dhe rrezikojnë nderin dhe burrërinë.

Ankohemi si njerëz të verbër e kërkojmë të ndjekim zhurmën e rradhës dhe sillemi si të shurdhër për pëshpërimën e dashurisë hyjnore që na fton sërish. Ankohemi se nuk kemi aq shumë sa ata të cilët i votojmë, ankohemi se nuk vjedhim dot si ata dhe nuk i heqim dot kur e kalojnë kufirin. Ankohemi sepse ata nuk pendohen nga mëkatet e tyre politike, kur ne të gjithë si komb kemi shumë për t'u penduar. Kemi refuzuar Krijuesin për 50 vjet dhe asnjë ligj për lejimin e fesë, nuk e ndryshon zemrën pagane të një populli që krenohet duke parë veten në pasqyrën që i thotë atë që i pëlqen.

Sot dhe të dielën tjetër, festojnë njerëzit, por jo duke falenderuar Krijuesin që u fal mëkatet dhe ofron kalimin nga vdekja në jetë. Jo, festojnë sepse duke festuar harrojnë jetën e vështirë dhe me pak buzëqeshje. Festojnë dhe urojnë “Gëzuar Pashkën” si një urim hajmali që është mirë ta thuash.

Unë sot vendos të kujtoj që Krishti që vdiq, u varros dhe u ringjall më jep shpresë për jetën që nuk ma jep asnjë kombësi, asnjë parti, asnjë urim, dhe asnjë hajmali moderne. Krishti u ngjall me të vërtetë! Lum kush e beson!

*Autori është Pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare Toronto