Mos vallë më mirë ‘protektorat’ Shqipëria? – Nga Endrit Mullisi
Ukraina zgjodhi një komedian për president me gati treçerekun e votave. USA zgjodhi një “Real Estate Mogul” që kishte kohë në media. Franca zgjodhi dikë që nuk vinte nga radhët e partisë. Kanadaja zgjodhi kryeminister djalin bukurosh të ish-kryeministrit te famshem. Austria një 32 vjeçar konservator.
Është interesant të vëzhgosh se me cilin organ të trupit analizojnë politikën një pjesë e njerëzve dhe se si ndodh që populistët tërheqin ende masat. Pra, nuk i bëj me shumë faj shqiptarët që turren kot më kot pas politikanëve pa brumë. Siç thoshte im atë dikur, kur diskutonim politikë, “vota e qytetarit intelektual është e barabartë me votën e fshatarit të paedukuar”.
Kushedi se kush do votohet këtë herë nëpër bashki. Degjova një intervistë të Koço Kokëdhimës që kandidon në Tiranë. Sa shumë konflikt brenda disa fjalive. Nuk di si do të pastrohemi si komb (se nuk besoj që politikanët jane pjellë e lagjeve të tjera). Do të na duhet një “shplarje” pozitive e mendjes dhe patjetër largim total i mentalitetit konfliktual berishian. Për mua, Sali Berisha, që ka marrë shumicën e votave të mia kur jetoja në Shqipëri, është padyshim një nga personat përgjegjës që transformuan demografinë shqiptare si në mentalitet dhe në levizje të gabuar të grup-popullatave. Mënyra e tij e komunikimit, fatkeqësisht u kopjua dhe modifikua nga politikanë të çdo ngjyrimi.
Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria zyrtare të pranojë që ka dështuar dhe të ftojë qeverisjen e "Princ Vidit 2"? Shqiptarët me mosvotim dhe me emigrim i kanë dhënë tashmë shuplakën e padukshme të gjithe politikës shqiptare. Nuk di se me çfarë votash drejtuesit e ardhshëm do deklarojnë përfaqësimin e shumicës së zgjedhsëve.
Ndoshta ka ardhur koha që shqiptarët të bëjnë një referendum dhe të bëhen zyrtarisht vasalë (protektorat) të një kombi tjeter - nuk do ishte keq sikur të bëheshim një land i Gjermanise apo kanton i Zvicres pranë Adriatikut…
Ju bezdis kjo ide? Pse? A mos jeni më shumë patriotë se unë? Apo është një ide që hedh poshtë gjakun e deshmorëve?
Realiteti flet fare mirë për mentalitetin vasal që kemi patur ndër shekuj. Kujtoni Haxhi Qamilin e pas pavarësisë, por edhe lëpirjen që i kanë bërë politikanët tanë që në fillim të tranzicionit Konferencës Islamike dhe dy dekadat e fundit BE.
Ne mbahemi me paratë e të tjerëve dhe themi e bëjmë çfarë të tjerët thonë. E pse themi që jemi komb i pavarur? Sepse kërcejmë e bërtasim "kuq e zi"?
Emigrimi masiv i shqiptarëve, jo vetëm i të papunëve, por edhe atyre me “punë stabël”, në vende ku mentaliteti dhe qeveria funksionojnë si duhet, tregon fare mirë që emigrantet “de facto” ndihen më mirë nën qeverisjen e jo-shqiptarëve.
Ndoshta ju nuk do ta lexoni deri në fund mesazhin tim të gjatë dhe do e klikoni “pa u tharë mirë boja”, për të vazhduar me leximin e titullit tjetër interesant në media që kërkojnë vëmendjen tuaj. Por nëse e lexuat deri këtu, ju ftoj të mendoni!





















