Blog

Shteti i ri si përligjje e shtetit tribal - Nga Lis Bukuroca

Për të arsyetuar ndërtimin e shtetit tribal, shpesh herë përsëritet mendimi i njëjtë: jemi shtet i ri. E vërtetë, por shtetin e ri nuk e udhëheqin fëmijët, por burrat. Në kohën e Jugosllavisë nuk ishim fare shtet, por që nga Kopshti i Fëmijëve, nëpër Universitete, deri në Akademi, kishim administratë më funksionale dhe jo kaq fisnore si sot.

Arsyetimi "shtet i ri" shërben për të përligjur arbitraritetin, shtetin fisnor, padijen e madhe, oportunizmin dhe për të fituar kohë për karrierë, për pasurim dhe rehatim të fisit.

Ata që udhëheqin paguhen për të përmirësuar mirëqenien e popullit, jo për ta keqësuar atë! Ata deri tani kanë korrigjuar standardin e jetës së vet dhe të të afërmve, por jo të njerëzve jashtë klaneve të veta!

Shkurt e qartë, edhe pse jemi shtet i ri, kemi shumë njerëz të aftë, por jo aty ku duhet. Kosova me shpalljen e pavarësisë nuk ktheu popullin kolektivisht në mituri. Gjersa ata me dije, ose vetëdije të miturisë udhëheqin shtetin, atëherë arsyetimi se jemi shtet i ri, qëndron! Në aspektin intelektual, shumë prej atyre që udhëheqin sot shtetin, janë në gjendje miturie dhe vazhdimisht ndjejnë nevojë për tutorë, ose për një mori këshilltarësh!