Një llafazan në ekran na bën të gjithëve duman-Nga Zija Çela
Meqë krijohet prej shkaqeve të ndryshme, edhe llojet e kaosit janë të ndryshëm. Siç vjen nga rrëmuja e sendeve, vjen edhe nga rrëmuja e ideve. Prandaj ka kaos që shihet me sy dhe kaos të padukshëm, sepse ky ndodhet në mendjen e njeriut.
Një kaos i kësaj natyre po haset gjithnjë e ma dendur. Është kaosi mëkatar i Fjalës. Kjo kakofoni, zhurmhëri e zallamahi krijohet në të gjitha herët kur, para atyre që dinë, s’u pushon goja atyre që nuk dinë. Në çaste të tilla, kushedi përse, të urtit i vjen t’i hedhë veshët përtokë dhe t’ia mbathë vrapit kuturu, pa ditur as ku do të shkojë e as ku do të ndalet.
Gjuha që kemi në gojë si një maus prej mishi është, se mish ka por kocka thyen. Veçse nuk mund të jetë Do Not Cover. Ajo është e lidhur me softuerin dhe windousin e saj, trurin, prej të cilit duhet të presë patjetër komandat logjike për t’u vënë në lëvizje. Mirëpo ç’ndodh, shpesh e shpesh bëhet vetë superkomandë dhe pa nevojë, llap e llap, një çast nuk ndalet në gojë.
Vini re, ju lutem, i pafund është kozmosi dhe prapëseprapë zotërohet nga harmonia. Vini re, ju lutem, tërë ky glob ku jetojmë, rrotullohet vazhdimisht në boshtin e vet, pra bën një punë vigane, por s’i dëgjohet një fije zhurmë. Ndërsa për ca punë të vockëla, fort të vockëla, me batërdinë e vet, sidomos në ekran, mjafton një llafazan dhe të gjithëve na bën duman.





















