Blog

Portret i imponuar. Post kapanoni Rama!-Nga Ylli Dylgjeri

Edhe iriqi e kupton se pas teje s'ja vlen të rrish më o Ed Rama! Ndërkohë, Ti rri... Ti vazhdon të rrish me breshkat, insektet e mushkonjat gjakpirëse që zuzasin rreth teje nga zyra në Surrel. Ti rri aty me intrigën tënde, e kur del nga bunkeri vazhdon të thithësh sërish vetëm djersë eskorte, polici, qeni, antiplumbi, snajperi, e çdo vasali që nuk guxon të t’thotë një herë: Ndal! Nuk të thonë se jo vetëm i ke trëmbur, por edhe s'të duan më.

Po, po, stë duan. S'të duan se Ti je sot një rutinë, që çdo minutë vetëm jep urdhëra vigjilence e gatishmërie, skuthërie e dinakërie për lëvizjet e ditës që ngrys dhe natës që gdhin. Jeta për Ty sot është kthyer në një post kapanoni që ndjek çdo lëvizje të gardës që ke nën urdhër. Ti vëzhgon e nuk artikulon më asgjë të re që të mbetet në mend. Me batuta klubi apo sportisti të parkut të xha Tonit kënaqesh rrethoreve me administratë. Public Relation-i Yt, që deri dje ishte inteligjent, sot është kthyer në një Propagandë kolkozi, bajate, që nuk pranohet më edhe nga ish Udhëheqja e djeshme e KQBRPSH.

Me Ty e batutën tënde sot qesh vetëm shoferi, kapteri, agjenti, apo oficeri nga halli i madh se mos mbetet edhe pa dieta edhe pa rrogë në ditët që vijnë. Me uniformën e fituesit (tutat e të fortit) të stampuar firmato, vazhdon të vraposh bashkive, duke kapluar barrikadat njerëzore si një hajdut kumbullash. Pa protokoll, e pa letra kabinetesh u flet njerzve si Ramazoni rroma-përtoma si në kohën e Haxhijve e Qamilëve bashkë. E si të mos mjaftojnë ligjëratat e përditshme në TV, i fut dhe një fjalë në Kuvendin e Shqipërisë që sot s'është më as Kuvend e as Shqipëri.

Kërkush s'të honeps më, veç familjes tënde e cila në alert mban sytë katër e veshët 100.4 për të kapur çdo koment e zë që fëshkëllen rreth teje. Gjynah. Flasin me vete.

Nuk po e zgjas më...Me Ty sot, është kohë e humbur të merresh. Rri sa më shumë Rama, se do kënaqemi duke u tallur me paranojën tënde.

Prill 2019

Tagged under Edi Rama Ylli Dylgjeri