Blog

‘Mbretërit’ janë lakuriq

Nga: Vangjush Saro

“Kafe” me mjeshtra të mëdhenj

Shkrimtari i njohur danez Hans Kristian Andersen, që provoi fatin në disa gjini e lloje, shkëlqeu dhe iu mbeti shekujve me përrallat e tij të mrekullueshme. Si në çdo rast kur kemi të bëjmë me një mjeshtër të madh, krijimet e tij më të mira mbeten përherë të lexueshme, sfidante dhe aktuale. Do të mjaftonin vetëm dy prej atyre perlave që të mbështetet ky mendim; është fjala për gjetje dhe trajtesa artistike model: “Shitësja e vogël e shkrepseve”, ku duhej vetëm flakëza e një fije shkrepseje për të skanuar mjerimin e kohës e, njëherësh, për të thirrur në ndihmë ëndrrat më të bukura; dhe “Rrobat e reja të mbretit”, në fakt një tregim modern, që hedh dritë mbi ekstazën e pushtetit dhe poshtërimin kolektiv, një krijim që mbyt me sarkazëm dhe përqesh me aq elegancë harbutërinë aristokrate dhe çdo sjellje vanitoze a tepri me taksat e të mjerëve. Pamje dhe skena si te “Shitësja e vogël e shkrepseve” apo “Rrobat e reja të mbretit” janë të pranishme kohë e pa kohë, në çdo vend e komunitet… (Te ne, ca më shumë: dje apo sot; me pamje nga pushteti apo aso nga opozita që... rënkon për popullin; në lëmë të politikë-zezës, por edhe gjetkë: në letra, në histeri ashtu... histori.) Ku e lamë? Në të njëjtën kohë, ato krijime na flasin për personazhe pozitive dhe për vëzhgues symprehtë e të ndershëm që nuk mungojnë asnjëherë; si ai fëmija që - pa ulëritur a mallkuar - guxoi e tha se mbreti ishte lakuriq…