Blog

Pensionistët, dëshmorët e gjallë të 5 Majit-Nga Genc Mlloja

Sot 5 Maj, Dita e Dëshmorëve. Dekori i ritualit të vendosjes së kurorave për të rënët në Luftën e Dytë Botërore nga politikanët shqiptarë ishin veteranët pensionistë, familjarë të dëshmorëve. 

Po kështu në votime pensionistët do të jenë pjesa më e madhe e votuesve. 
Por, ndërkohë, janë rreth 500.000 pensionistë që gremisin ditët e asaj çfarë u ka mbetur nga jeta në mizerje me ndonjë përjashtim të të 'përkëdhelurve' të të dy kampeve. (Shifra reale jo propagandë: pensione që variojnë nga 10.000 deri në 26.000 lekë në muaj me vjetërsi pune deri 45 vjet.)

2.
"Listat e gjërave jetike që marrin janë të stërgjata, fletoret janë bërë volume", më tregon një i njohur që ka një mini-market. "Shpesh si paguajnë kurrë... E unë përsëri ju jap. Kur kanë, me gëzim të plakur paguajnë". 
Tregimi i një farmacisteje: "Marrin nganjëherë ilaçe për tension - vetëm 2 kokrra! Me listë ka shumë, por sa kanë lek paguajnë. Marrin ilaçet bazë. Në farmaci vërehet gjendja mjerane."
Në spitale pensionistët janë të urryer. Kam dëgjuar vetë disa 'gardianë' të jetës të thonë me përçmim: "Kanë jetuar mjaft"! 

3.
Sa e sa histori të tilla ka në Shqipëri, vend që po kërkon të hyjë në BE. Mirëpo nëse supozojmë se Tirana plotëson çdo kusht të këtij blloku, a është në një hap lidhur me pensionistët? Të flasin ata që kanë patur fatin të jenë në pension në vendet europiane. Mirëpo çuditërisht edhe mazhoranca edhe opozita e kanë bezdi të merren me këtë shtresë në nevojë, e përkthyer në mizerje. Turli tryezash bëhen, premtime pa fund, shumica boshe, por nuk guxon asnjë krah politik të trajtojë në thellësi, me humanizëm, gjendjen mjerane të pensionistëve. Për t'mos e pësuar vetë si ky brez i humbur politikanët janë kujdesur që të ardhurat e tyre kur të jenë në pension të jenë të majme si pare xhepi se politika u ka 'pjellë' biznese të shumta atyre dhe brez pas brezi.

Në këtë 5 Maj disa, që duhet të shkonin në varrezat e dëshmorëve për të nderuar familjaret e tyre të rënë, mund të kenë mbetur pa 'dëfrimin'- kafen disa orëshe tek lagjja se do t’u jetë dashur të paguajnë biletën e autobusit urban! 
Një mik me humor më tha: "Mirë që je në këmbë se është 'Dita pa makina'". Po, i thashë, si unë kishin bërë shumica e brezit tim- 'Vite pa, pa, pa... shumë gjëra"!