Blog

Në Tiranë? Po, por përmes Beogradit ose Athinës-Nga Adi Shkëmbi

Nëse ka një dëm të madh që i ka bërë politika afro 30-vjeçare emigrantëve (për të cilët i digjet barku një herë në dy vjet para zgjedhjeve) është barriera që i ka ngritur sa i përket transportit ajror. Veçanërisht çdo verë, të shumta janë kronikat e lajmeve dhe artikujt e gazetave që i referohen çmimeve të kripura të kompanive ajrore, apo anulimit vend e pa vend e pa paralajmëruar të udhëtimeve.

Por ajo që më ka bërë përshtypje, teksa prej disa ditësh po kërkoj për 3 bileta për në Tiranë, është fakti se Tirana nuk figuron fare në hartën e kompanive ajrore. Një qytetari shqiptar që fati e hodhi përtej Oqeanit (të tillë nuk janë vetëm ata në Kanada, por edhe Amerikë), i duhet të ndërrojë të paktën dy avionë për të mbërritur në Tiranë.

Kjo do të ishte normale po të rrethoheshe nga vende të cilat janë aty-aty me ty e në këto kushte nuk mund të pretendoje më shumë. Por, është ulëritëse teksa sheh që një ndër kompanitë më të mëdha në Botë si Air Canada të sugjeron si destinacion për Tiranën, tranzitin nga Athina dhe akoma më keq nga Beogradi.

Duket se shpresa e vetme për një udhëtim direkt (qoftë edhe përmes Nju Jorkut) do të jetë fushata e pas dy viteve kur ‘Lasgushi’ do ta ketë mësuar rrugën deri në Stamboll dhe “Noli” të ketë kthyer timonin nga Oqeani…