E katërta e vërteta-nga Ardian Muhaj
Pas sistemit kriminal dhe antipopullor të viteve 1945-1990, shqiptarëve më në fund iu dha mundësia që të ndërrojnë atë sistem për një sistem demokratik. Kjo mundësi, megjithatë nuk është shfrytëzuar dhe jemi këtu ku jemi sot, akoma në tranzicion drejt një sistemi të ëndërruar demokratik.
Edhe pse mund të duket absurde, tranzicioni po zgjatet kaq shumë sepse në fakt po kthehemi në pikën zero të vitit 1990. Klisheja më e fundit që mjegullon mendjet dhe tjetërson përgjegjësitë është se duhet ndryshuar sistemi. Kjo klishe mund të përkthehet me shprehjen: e dimë se duam diçka, por nuk e dimë se çka duam. Cili sistem u dashka ndryshuar, kur nuk kemi një sistem të mirëvendosur, por thjesht një rrugëtim prove, drejt sistemit demokratik?
Nëse me sistem nënkuptohet mënyra e rrugëtimit tranzitor drejt demokratizimit, atëherë këtë “sistem” e kemi ndërruar tri herë në këto 30 vite dhe mbase do të duhet ta ndërrojmë edhe tri herë të tjera deri në daljen nga tuneli i rraskapitës i tranzicionit. Në këto 30 vite si shoqëri kemi kaluar në tri faza të ndryshme të sistemit të tranzicionit.
Në vitet 1992-1997 në Shqipëri kemi pasur një sistem politik me korrupsion. Në këto vite marrdhëniet e politikës me korrupsionin ishin akoma në stad embrionar, apo më saktë njohjeje të ndërsjelltë. Besimi se politika do të sjellë ndryshimin e ëndërruar ishte akoma shumë i fortë.
Pas kësaj faze, në vitet 1998-2013, kemi kaluar nga sistemi politik me korrupsion, në sistem politik të korruptuar. Në këtë periudhë që përfshin të dy krahët e politikës, sistemi politik ka bashkëjetuar me korrupsionin në mënyrë pothuajse normale.
Nga viti 2013 e deri sot, bashkëjetesa e normalizuar e politikës me korrupsionin në vend që të prishej në favor të politikës, mori kahje të kundërt. Nga viti 2013 e deri sot korrupsioni nuk bashkëjeton më me politikën. Në këtë fazë korrupsioni thjesht e ka nënshtruar dhe skllavëruar politikën. Në këtë fazë nuk kemi as sistem politik me korrupsion, as sistem të korruptuar, por për fat të keq, kemi sistem politik të korrupsionit. Nëse deri në vitin 2013 politika ishte thelbi dhe korrupsioni lëvozhga, sot korrupsioni është thelbi dhe politika është lëvozhga e sistemit. Politika është nënshtruar deri në atë shkallë ndaj korrupsionit, saqë çdo nismë e çdo përçapje politike nuk është tjetër, veçse fasadë për afera korruptive. Korrupsioni është padroni, politika është thjesht shërbëtori.
Prandaj është urgjente që të ndërrohet ky sistem. Jo pse nuk ka ndryshuar në këto 30 vite, por sepse ka ndryshuar për keq dhe në kah të gabuar. Që të mos humbet kohë ndryshimi i radhës duhet të jetë rrënjësor dhe jo sipërfaqësor. E katërta duhet të jetë e verteta!





















