Fundi i pafund i Edi Ramës-Nga Genc Mlloja

Shqiptarët u njohën edhe me një 'fejton' - ftesë për dialog të kryeministrit Edi Rama drejtuar kreut të opozitës Basha. Të duket si një farë kalim kohe të 'lodrosh' në ato radhë që nga letra në letër bëhen më shpotitëse plot tallje e nëpërkëmbje ndaj kundërshtarit të cilit të ardhmen ia shikon në humnerë bashkë me gjithë atë që Rama e quan 'grupim politik' apo sekt i Bashës.
Rallë politikan apo forcë politike janë shigjëtuar si tash nga pena helmuese e Ramës, autor i librit 'Kurban' që, ndër të tjera, është përkthyer edhe në gjuhën serbe, siç po u ngjet Bashës e aleatëve të tij opozitarë. Rama i përsërit kundërshtarit se kot e ka me protestat se ato po rrudhen siç po humbin energji thirrjet e Bashës para secilës protestë kur njofton 'fundin' e kryeministrit.
Por Rama publikisht po i tregon Bashës se 'fundi' i tij i kërkuar nga opozita është 'pafund'... 'Ik!' është bërë duket moto për 'Rri Z. Kryeministër!'Gjasat janë se thirrja 'Ik!' është bërë si adrenalinë për Ramën (duket ajo ka zëvendësuar drogën për çka pretendohet se përdor ai) dhe shprehje e kësaj është se si kreu socialist po e trajton situatën në të gjithë aspektet e saj brenda dhe jashtë vendit. Ai pretendon se parlamentin e ka plot majtas e djathtas, zgjedhjet do të jenë fitimtare të 61 bashkive në datën e caktuar, ndërkombëtarët komplet solidarë dhe mrekullia shqiptare në të gjitha fushat po habit botën. Aspak dyshues nuk është ai për hapjen e negociatave me BE. Madje i imponohet Brukselit zyrtar për këtë...
Pra me këtë torbë të tijën plot Rama nuk tundet përballë Bashës, të cilit shpesh i kujton me miklim se kur "Çadra" ishte bërë me të vërtetë bunker i demokracisë në mes të Tiranës ky i fundit tinëzisht doli nga një vrimë e saj dhe hyri në katakombet kuvendore prej ku, të gjithë e kujtojnë, dukej i ekzaltuar nga pazari me kryeminstrin kur u foli gazetarëve. Edi Rama i përmbajtur nuk foli, ia la 'fitoren' e pazarit të 2017 Bashës. Besoj akoma ky i fundit i ndjen të rrahurat miqësore të shpatullës nga kryeministri në atë bisedë me gazetarët. Betohet tani kreu demokrat se nuk e ha më atë 'supë' por zor se e beson ndokush, madje edhe në qarqet më të afërta të tij. E nga ana tjetër ai e ndjen se edhe Rama këtë radhë nuk ka më në menunë e tij të 'dialogut' të propozuar 'supë', por thjesht bukë thatë. Të gjithë e kuptojnë se Ramës nuk i intereson më as dialogu as Basha se limonin e ka shtrydhur. Nëse në fillim nuk ndihej mirë nga protestat opozitare, tani ato e argëtojnë Ramën. Ato i duken sikur i japin forcë për të vazhduar se, në të vërtetë, janë bërë tamam shëtitje nokturne në kryeqytet. Ndonjë media amerikane botonte foto të një protestuesi me vuvuzelë përballe kordonit policor tek kryeministria; nuk kishte interes për ato media të huaja as kreu opozitar e as protestuesit anti- kryeministër.
A me të vërtetë kryeministri e ndjen se po i shteron karburanti revoltës opozitare? Të enjten e kaluar lideri veteran Berisha u tha shqiptarëve se lidershipi opozitar nuk mund të përmbajë zemërimin popullor. E thënë prej tij krijoi natyrshëm enigmën- çfarë do të ndodhë më 25 maj? Çfarë ndodhi ishte shëtitje në bulevard e 'rrok e puth' liderët opozitarë nga dashamirësit e tyre sikur ishte takimi i fundit.
Pyetje: Mos Basha i ashtuquajturi 'moderatori' opozitar nuk e pyet më tutorin e tij? Nuk po funksionin më binomi B2? Apo kjo është lojë e tyre në pritje të ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, konkretisht gjermanëve? 31 maji po afron për demonstrimin opozitar të rradhës. Basha e ka fjalimin gati, kopje e fjalimeve të mëparshme. Kurse shqiptarët, fatkeqësisht, kanë shumë çfarë të thonë në këtë mizerje ekonomike, sociale e psikologjike që po ua merr frymën gjithnjë e më shumë.
Në të vërtëtë Rama e ka përballjen me shqiptarët se këta të fundit shumë pritën nga premtimet rilindase dhe nga dita në ditë zhgënjimi i tyre rritet prej mos realizimit të premtimeve ëndërrimtare. Për momentin kreu socialist driblon mjeshtërisht në këtë përballje se akoma populli i thjeshtë në qytet e fshat mbetet i çorientuar pasojë kjo e klasës 30-vjeçare politike që e mban Shqipërinë në çfarë quhet tranzicion.
Rama e ndjen veten të fortë kur sfidon edhe ajkën e intelektualizmit duke imponuar në krye të Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushin, këtë figurë të errët në çdo tipar njerëzor që e demonstroi në dritë të diellit edhe tani duke shantazhuar me fjalë turpi një gazetare.
Mirëpo çdo gjë ka një fund dhe këtë do ta përcaktojnë vetë shqiptarët, si gjithmonë, se deri kur do të mbeten të varfër, të poshtëruar, të kërcënuar, peng të politikës hileqare, të mallkuar nga drama anti- kombëtare: 'Shqiptar Ik!'