Blog

Modeli ‘Dako’ ende i paprekshëm - Nga Afrim Krasniqi

Rreth dy vjet më parë disa diplomatë të lartë perëndimorë ishin në kërkim të mekanizmave që mund ta bënin politikën e korruptuar shqiptare më transparente dhe më llogaridhënëse. Një prej ideve praktike të sugjeruara nga partnerët shqiptarë ishte nevoja e hapjes së një portali ose të një media në një vend perëndimor ku të mund të publikohen skandale, të cilat censurohen ose pamundësohen në mediat në Tiranë. Me siguri nuk është ky rasti, por publikimi i sotëm i Bild Zeitung është një provë se ky mekanizëm funksionon. Media gjermane nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka publikuar disa prej dosjeve që flenë në zyrat e prokurorisë prej dy vitesh dhe ka ofruar emra e të dhëna që janë të njohura për cilindo që ka njohuri mesatare për fushatat elektorale në Durrës, Dibër, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Berat, Kukës, Kavajë apo në periferinë e Korçës.

Skenari është i thjeshtë: disa grupe kriminale asistojnë partitë, drejtojnë fushatat, trafikojnë votat, emërojnë deputetë e drejtues lokalë, kontrollojnë polici e administratë, pra “bëjnë ligjin” me bekimin, mbështetjen dhe kthimin e borxhit elektoral nga politikanë të korruptuar, abuzive, arrogantë dhe pa asnjë ide politike përveç aftësisë për të menaxhuar varfërinë, votat dhe pushtetin.

Dako është rast tipik i kapur flagrant, por modelet e tij janë akoma të shumtë, shpesh edhe në parti të ndryshme, dhe gjithnjë të paprekshëm, për shkak se janë e mbeten të afërt e me pushtet tek “shefi”/”shefat” që emërojnë ministra, deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë, drejtorë, policë, doganierë, deri edhe pastruesit e lagjes apo rojet e godinave shtetërore.

Në çdo demokraci perëndimore individë të tillë do të pezulloheshin nga funksionet partiake, liderit e përgjegjshëm do distancoheshin prej tyre, institucionet hetimore do merreshin me dosjen dhe drejtësia do ta thoshte fjalën e saj. Tek ne ndodh ndryshe: partia i merr në mbrojtje dhe i promovon, lideri i fal pushtet në shkëmbim të heshtjes dhe shërbimit, institucionet nuk hetojnë dhe drejtësia ndaj politikanëve mbetet ende iluzion...