Blog

Koncepti i shtetit të së drejtës ka rënë - Nga Irdi Zjarri

Në vitin 2014, Roberto Saviano do të shkruante: "Në çdo shtet ka mafie, por në Shqipëri, mafia ka shtetin e vet".

Pesë vite më vonë, në këtë situatë të jashtëzakonshme, të njejtën gjë shpreh Peter Tiede, shefi i seksionit politik në BILD, i cili prej disa javësh po publikon në sitin gjerman skandalin e blerjes së votave në Shqipëri.

Përgjime të një mafie që ka ngritur një sistem të imponuar në shtratin e politikës, duke shtrënguar pas vetes si putanë edhe sistemin e kalbur të drejtësisë. Dhe në të njejtën kohë ajo sulmon intelektualët, gazetarët, dizenjatorët, karikaturistët, shkrimtarët, etj, sepse janë ata që flasin dhe që iu rrezikojnë atyre pushtetin absolut dhe autoritar që ata kanë arritur të ngrenë nëpërmjet parave të pista në Shqipëri.

A është për t'u pasur frikë? Sigurisht. Në kushte të tilla si sot, kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, kur Gjykata e Lartë është shpërbërë, kur Prokuroria e Përgjithshme funksionon si organ hetimi politik, kur Prokurorja nuk prononcohet por "vetëpërjashtohet" me raport shëndetësor, kur instancat më të larta të shtetit lëvizin vetëm me urdhrin e Shefit dhe jo në sajë të së drejtës që u njeh ligji, ku deputetët kapen duke dirigjuar grupet e të fortëve në qendrat e votimit, ku ambasadat prononcohen dhe ndryshojnë deklaratat për disa orë, ku njëri prej ambasadorëve shprehet se qarkullojnë 2 Miliardë $ para të pista dhe më pas e përgënjeshtron, atëherë duhet thënë se koncepti i shtetit të së drejtës ka rënë.

Prej javës së shkuar jemi në kufijtë e instalimit të autoritarizmit shtetëror!