Blog

Çfarë duhet të shohim më shumë? - Nga Irdi Zjarri

Çfarë duhet të shohim më shumë nga ç'nuk kemi parë deri më sot, ne njerëzit e elektoratit gri që ndonëse edhe pse jemi në kontakt të vazhdueshëm me aktualitetin politik dhe ngjarjet e fundit në vend (përgjimet dhe implikimet e politikanëve në blerjen e votave), për të kuptuar se vendi është zhytur në baltë dhe nuk ka më qasje për hapje negociatash këtë vit?!

Çfarë duhet të shohim më shumë nga ç'nuk kemi parë deri më sot?!

Lexova dikë që shkruante: "Votat blihen kudo". Por nëse ju ka rastisur të shihni "House of Cards", serialin e mbështetur mbi intrigat e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit Amerikan, shkruar me mbështetjen e ish-presidentëve Obama e Clinton, duhet të kuptoni se: "Votat blihen për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve politike, për të arritur një rotacion, për të nisur një histori të re, për të kapërcyer në një standard të ri ekonomiko-social, për të influencuar në politikën e jashtme, për të realizuar reformat që premtohen, për t'i shpallur luftë informalitetit dhe sigurisht në fund, edhe për të mbajtur me dhëmbë pushtetin".

Megjithatë, votat nuk blihen me para në duar, si në rastin më të shëmtuar të politikës shqiptare që e ka kthyer këtë krim në sistem këto 30 vjet; kur dikush i kërkon deputetit 200 mijë lekë se do fejojë djalin, apo dikush tjetër bisedon me ministrat se kërkon të transferohet dhe ndërkohë i premtohet se do të ngrihet në detyrë. Votat nuk blihen me njerëz të implikuar në afera korruptive. Votat nuk blihen as duke shantazhuar me listë punonjësit e administratës shtetërore. Votat nuk blihen as me pedagogë që u kërkojnë studentëve në auditore të votojnë partinë kundrejt kalueshmërisë në provime. Votat nuk blihen duke intimiduar maturantët që janë votues të rinj.

Votat blihen duke kontrolluar mendjen e njerëzve nëpërmjet propagandës, duke përdorur mediat e mëdha me fushata publicitare, programe apo kronika në mbështetje të kandidatëve, duke servirur sondazhe të rreme, duke krijuar një "identikit" kandidati të paqënë në rrjetet sociale, duke përdorur imazhin e yjeve të filmave, sportistëve apo muzikantëve, duke përdorur njerëz me influencë në shoqëri (gazetarë, analistë, ambientalistë, apo grupe interesi), duke marrë pjesë në fushata sensibilizuese, duke i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë nëpërmjet organizatave jofitimprurëse, etj. Në thelb votat blihen duke përdorur gjithçka të ligjshme që moralisht është e rëndomtë.

Pra, çfarë duhet të shohim më shumë nga ç'nuk kemi parë deri më sot, që të jepni dorëheqjen dhe të largoheni të gjithë me turpin e "1 milion shuplakave" përgjithmonë?!