Jam kundër çdo diktatori! - Nga Bujar Llapaj
Ka shumë deklarata nga Diaspora për neutralitet apo paanësi në raport me zhvillimet politike në Shqipëri edhe unë e mbështes këtë qëndrim që nuk dallon nga ai i komuniteteve fetare. Por…
A duhet të jetë Diaspora e paanshme kundrejt hajdutëve të çdo lloji dhe ngjyre që dalin me emra, zë dhe figurë? A duhet të jetë e paanshme kur për tekat e një kryeministri delirant shqiptarët duhet t’i paguajnë Bechettit 100 e kusur milion euro dhe kjo po pasohet nga padia e tij kundër gazets Bild? Apo për vjedhjet tashmë të vërtetuara me PPP-të për rrugët dhe Teatrin Kombëtar etj. etj. të tilla?
Unë jam për paanësi në raport me partitë politike apo liderët e tyre, por jo me pushtetet abuzive, jo me hajdutët, jo me mashtruesit, jo me diktatorët, jo me përçarësit e shqiptarëve në Ne dhe Ata.
Edhe shprehja "të gjithë njësoj janë", apo "të gjithë derrat një turi kanë" është justifikim prej frikacaku dhe varfëri intelektuale për të përballuar një debat të mbështetur mbi faktet dhe jo mbi propagandën qeveritare.
Si do gjykohej një kryeministër në një vend perëndimor po të kishte përdorur gjuhën fyese të Edi Ramës për artistin Bujar Kapexhiu vetëm se ai pati guximin qytetar dhe intelektual ti thotë hapur: Unë nuk votoj diktaturën dhe për këtë pranoj edhe burgun?
Diaspora duhet ti gjykojë politikanët shqiptarë dhe bëmat e tyre me moralin e shoqërive demokratike ku ata jetojnë. Kjo do ishte ndihmesa më e vyer për Shqipërinë që të përparojë drejt Europës.
Unë gjithmonë do të jem i anshëm: KUNDËR çdo diktatori, hajduti, mashtruesi dhe PRO vlerave dhe virtyteve.





















