Blog

‘Ta gëzojmë Mbretin’! - Nga Endrit Mullisi

Erdhi koha të shpallim Mbretin e Ri të Shqipërisë së vogël. Mu bë zemra mal që nuk pati asnjë problem madhor gjatë votimeve të dielën. Duke ditur që mjaftonin 1000 të çmendur për të bërë sërish rrëmujë Shqipërinë e copetuar, ja pata frikën. Nuk ndodhi dhe jam mirënjohës. Nuk di se kujt, por jam.

Vëzhgova kalimthi disa postime të miqve në Facebook: Jo Votoj, jo nuk votoj. Sigurisht për të qeshur më vjen me ata që partia iu ka dhënë vende pune (ose ata që presin një vend pune), ca me gishta ngjyer e të tjerë të gëzuar që votuan për më të mirin e të mirëve.

Si një ish-demokrat uroj që ky eveniment të përfundojë plotësisht PD aktuale si dhe aleatët e saj karagjozë. Me shpresë që njerëz që ende kanë vizion dhe parime të djathta konservatore do të organizohen në një forcë që mund t'i ofrojë alternativë serioze pjesës serioze që ka mbetur në Shqiperi.

Deri atëhërë kemi një faktor të ri, kryetarin e plotfuqishëm të PS, që tregoi që është më shumë sesa kokëfortë. Ndoshta ai është qeleshja (me brekushe) që meriton shumica e shqiptarëve. Ndoshta zëra aty-ketu përpiqën të shprehen ndryshe, por masat kane ‘vendosur’ që më i gjati të drejtojë.

Çfarë i mungon atij tashmë? Vetëm kurora mbretërore. Ndërsa çdo strukturë është nën hyqmin e tij, patjetër që mund të dalin disa patriotë të shplarë dhe të fillojnë procesin e firmave për të ndryshuar kushtetutën shqiptare për mbretërinë më të re të Evropës.

Ndoshta gjeniu mund të bëjë një model të ri mbretëror, me themele anadollake prej sulltani dhe me dyer e dritare perëndimore.

Ndoshta mbreti është zgjidhja që meritojnë shqiptarët.

Diktatori ishte më shumë se ç’duhet ndërsa republika nuk u vajti për shtat se jemi ende me mentalitet bujkrobi.

Keshtu që unë them: “Ta gëzojmë Mbretin”!