Blog

Revolta shpresëdhënëse të mos kthehet në meshë! - Nga Artan Gjyzel Hasani

Rama ik! Nuk dua të iki se më çatë prapanicën, njerëz të trashë!

Rama ik! Po qënkeni komplet idiotë, unë ju them nuk dua të iki e ju akoma Rama ik! - kjo është tabloja e përgjithshme pas rreth 6 muaj protestash kombëtare të opozitës.

Qofsha i gabuar, por po ndodh ajo që nuk duhet të ndodhte: Për lidershipin e opozitës një protestë po quhet e suksesshme kur merr lavdërime dhe duartrokitje nga ambasadorët, azili diplomatik i pleqve të OSBE-së dhe nga Tutorët e Rrugës së Elbasanit, për sjellje të mirë e paqësore.

Diçka e ngjashme me vlerësimet që merr në shfaqjen e radhës cirku shëtitës.

Kjo gjë nuk është vetëm qesharake apo e turpshme për lidershipin e protestave, por është edhe kriminale, nëse do konsiderojmë shpërdorimin që i bëhet gjithçkaje që investojnë ata dhjetramijëra protestues që po sakrifikojnë vërtetë shumë prej muajsh me radhë!

Ai slogan, tashmë tepër idiotesk, "Rama ik!", është bërë "Rama aman ik!"

Prandaj paskan dalë rrugëve ata dhjetramijëra njerëz? Që t'i luten Edvin Ramës "Aman ik se nuk të rrëzojmë dot"?

Druaj se me qëllim përmirësimin e krediteve të lidershipit të opozitës në sytë e ndërkombëtarëve, ka filluar keqpërdorja e protestuesve, e fuqisë, besimit dhe ndershmërisë së tyre dhe protestat po kthehen nga një revoltë shpresëdhënëse për ndryshimin e madh, në një meshë me predikues të ngjirur jo vetëm nga fyti, por edhe nga trutë...