Blog

Duhet shembur sistemi - Nga Shefqet Deliallisi

Shpesh habitemi kur njerëzit zgjedhin në krye njerëzit e gabuar. Të dhunshmit, arrogantet, të "fortët", të pavlerët....

Pse ndodh kjo?

"Shqiptari - shkruan Eqerem bej Vlora - ka një traditë mijvjeçare kapadaillëku dhe dhune, ndaj dhe heronjtë e udhëheqesit e tij nuk mund t'i përfytyrojë ndryshe, veçse me këto veti. Këngë nuk u këndon mendjelarteve, shpirtmirëve, zemërdhembshurve, por mburr hakmarrësin, trimin, të pamëshirëshmin, të dhunshmin dhe intrigantin." (Kujtime, Vëllimi pare, f. 44)

Ky është vetëm njeri shkak.

Ndërsa kryesori është përzgjedhja e këtyre njerëzve nga drejtuesit e partive politike... Janë këta që përzgjedhin dhe servirin të tilla figura...

Nga ana tjetër pjesa më e madhe e njerëzve, nuk thellohen, nuk e vlerësojnë rëndësinë e votës, nuk e kuptojnë rrezikun. Nuk e kuptojnë se ata vetë duhet të jenë përgjegjës për veten e tyre. E kundërta ndodh, ja delegojnë këtë përgjegjësi "udheheqësit" të radhës dhe më pas ankohen pa fund.

Dhe... ripërserisin pa fund të njejti gabim!

"Një popull që zgjedh në krye njerëz të korruptuar, mashtrues, hajdutë, dhe tradhëtarë, nuk është viktimë ! Është bashkëpuntor" ka thënë George Orwell.

A do të sjellin ndonjë ndryshim zgjedhjet?

Nëse zgjedhjet do të bëhen me të njejtin ligj, kandidatet do të përzgjidhen me të njejtat mënyra, do vazhdohet me kuotat artificiale antivlerë 50 % gra 35 % te rinj, kaq % ...., nuk do të ketë konkurencë vlerash, do kemi vetëm "karton-deputetë"...

Nëse do vazhdohet me blerjen e votave, nëse do vazhdohet me të njejtin stil numërimi të votave, sigurisht dhe produkti i zgjedhjeve do të jetë i njejti.

Edhe në zgjedhjet lokale do zgjidhen si deri sot kryetarë bashikish me të njejtin mentalitet.

Do të zgjidhen si deri sot këshilltarë bashkiakë që s’përfaqsojnë qytetarët. Do të lihen jashtë elitat. Rrethi vicioz do vazhdojë.

Difekti është në sistem. Duhet shembur sistemi! Duhen të tjera rregulla loje!