Blog

Për çfarë i premtoi mbështetje Kryeministri i ri i Greqisë Kryepeshkopit Janullatos? - Nga Ruben Avxhiu

Kryetari i qeverisë së re të qendrës së djathtë në Greqi, Qiriakos Micotaqis, megjithë agjendën shumë të ngarkuar të fillimit të mandatit të tij, ka gjetur kohë për t’u takuar me Kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastasios Janullatos.

Sipas medias greke, Anastasios Janullatos kishte kërkuar ndihmën e qeverisë greke për të zgjidhur disa probleme të Kishës Ortodokse të Shqipërisë.

89-vjeçari Anastasios Janullatos u zgjodh Kryepeshkop në vitin 1992, kundër dëshirës së shumë patriotëve shqiptarë që dëshironin një udhëheqës shpirtëror me kombësi shqiptare në krye të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.

Çështja ishte delikate sepse Greqia në përpjekje për të penguar pavarësinë e Shqipërisë dhe pastaj për të përvetësuar sa më shumë toka shqiptare u përpoq t’i paraqiste shqiptarët ortodoksë si grekë. Krime të shumta janë kryer ndaj klerikëve dhe besimtarëve shqiptarë që guxonin të mbanin meshë në gjuhën shqipe.

Kisha Shqiptare është rimëkëmbur dukshëm në këto vite dhe Kryepeshkopi Anastasios Janullatos ka ditur të tërheqë shumë fonde e financime, sidomos nga Greqia fqinje, po edhe nëpër botë. Nuk ka më ndonjë lëvizje të fortë brenda Kishës Shqiptare për ta detyruar të përbushë premtimin e dikurshëm se do të largohej pasi ta ringrinte Kishën në këmbë. Njëfarësoj si politika e besimtarët, kritikë e përkrahës duket se kanë bërë paqe me faktin se ai do të qendrojë në fron deri në fund të jetës. Si ta vendosin vetë besimtarët, se kisha së pari u përket atyre.

Po problemet historike të përshkruara më sipër nuk do të largohen. Ato mbeten si hije mbi imazhin e Kishës dhe ushqejnë mosbesim edhe në veprimtaritë më normale.

Nuk do të bëjë përjashtim as kjo vizitë e fundit, në Athinë, e cila vijon të theksojë shqetësimet shqiptare për këtë anomali në krye të Kishës së tyre.

Pse duhet që Kryepeshkopi i Kishës Shqiptare, për problemet e saj, të kërkojë ndihmën e kryetarit të një qeverie të huaj? Pse nuk ka shkuar t’ia kërkojë ndihmën qeverisë së Shqipërisë? A është ankuar ndonjëherë Kryepeshkopi i Shqipërisë për ndërhyrjet e Greqisë në problemet e brendshme shqiptare? A i ka thënë se për problemet e ortodoksëve në Shqipëri përgjigjet ai dhe qeveria e Shqipërisë e jo Kisha Greke dhe qeveria e Athinës?

Se është e natyrshme për shqiptarët ortodoksë ashtu si për besimtarët ortodoksë të çdo vendi që duan ta shohin kishën e tyre si institucion të barabartë me kishat ortodokse të çdo vendi tjetër në botë, e jo si bisht i ndonjë kishe tjetër fqinje. Më së paku, do të donin një sqarim për problemet që paska Kisha e tyre si dhe që lajmet për takimet e Kryepeshkopit të tyre t’i marrin drejtpërdrejt prej tij e jo prej medias së një vendi tjetër.

Burimi: illyriapress.com