Blog

Bujar Llapaj: Ndarja e komunitetit teatror, manovra më e ndyrë e Ramës

Rezistenca e pashëmbullt e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka nxjerrë zbuluar gjendjen e mjerueshme morale ku ndodhet shoqëria shqiptare, por sidomos “elita” e shkolluar, që do të ishte mashtrim po ta quaje "intelektuale".

Intelektualët e vërtetë janë ata që punojnë dhe luftojnë për mbrojtjen e interesit publik kundër çdo lloj abuzimi nga çdo pushtet apo pushtetar, janë ata që publikisht shprehen në mbrojtje të individit dhe shoqërisë nga dhuna, linçimi, racizmi që ushtron pushteti dhe jo e kundërta.

Gjithë politika shqiptare që prej 1912 trashëgoi modelin otoman të pushtetit: përça dhe sundo, model që “modernisti osmanlli” e ka çuar në ekstrem me urrejtjen dhe talljen me gjithçka dhe gjithkënd që ka një kontribut dhe vlerë, por që nuk bën temena për Padishahun.

Ndjehem vërtetë keq kur personalitete me kontribute të spikatura lejojnë të perdoret emri i tyre kundër kolegëve që protestojnë prej 18 muajsh, pavarësisht janë dakort apo jo me protestën e tyre, ata janë pjesë e të njejtit komunitet.

Ndarja e komunitetin teatror në çështjen e godinës së Teatrit është manovra më e ndyrë e Ramës. Kush nuk e do një teatër të ri, një bibliotekë të re, një sallë filarmonie, etj. por me moton e internacionales: mbi gëmadhat e botës vjetër do ngrejmë botën e re, varroset historia jonë qoftë e lavdishme apo tragjike, zhduken bashkë gjurmët e heronjve të Lirisë por edhe të krimeve. Kush ka frikë nga historia, nga e vërteta dhe do që ta varrosi atë poshtë betonit?