Blog

Ylli Dylgjeri: Edi Rama, mashtruesi i 8 Dhjetorit!

Si e the zotrote? 8 Dhjetorin e pluralizmit e bëre ti?

Haaaaaaaaaaa! Haaaaaaaa!

Me deklarimet e Salzburgu-t i vure kapak kazanit tënd me gënjeshtra që ke shpikur nga viti 1989 e deri më tash.

Po kush të kishte ty në llogari në 1989 dhe 1990?

Ti ishe një anonim. Pa emër, pa numër, pa fytyrë. Vetëm nëse llogarit emrin rezervë në ekipin e basketbollit të Dinamos, numrin në fanellë dhe fytyrën që dilte me 5 gabime personale në çdo ndeshje edhe pse hyje në lojë në mes të saj. Për më shumë në sport le të flasin bashkëkohësit  e tu nga Ilir Trebicka e deri te Fatmir Cuka.

Për më shumë në politikë, le të flasin Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Fatmir Xhafa, Qemal Minxhozi, Luan Bregasi, Remzi Lani e të tjerë, aktorë të rinisë puniste dhe aktorë të lëvizjes së Dhjetorit.

Për më pak, po flas edhe unë, ish-instruktori i KQ të BRPSH-së.

Nuk ke qenë kërkund ti në listat e organizatorëve dhe simpatizantëve. Ti o Edvin Rama ike u fshehe. Nuk ke qenë as në Shqipëri në ato çaste për ca ligjërata që mbajte te artet. Pardesyja jote e bardhë në atë grupim ishte një çarçaf mashtrimi.

Për 8 Dhjetorin e vitit 1990 mund të flasë më shumë edhe ish-studenti Pandeli Majko.

Për 8 Dhjetorin kanë shkruar shumë. Të vërtetë e anonimë. Por për 8 Dhjetori ende nuk kanë dalë dokumentat e kohës.

Ishte Ramiz Alia Ai që erdhi në KQ të BRPSH-së e tha:

"Duhet ndryshim! Po vij këtu, nga zyra ime ku kam punuar 30 vite më parë (e kishte fjalën për zyrën e Sekretarit të Parë të BRPSH Lisen Bashkurtit) dhe me sa pashë, nuk kishte ndryshuar gjë nga koha kur drejtoja unë rininë". E ka inçizuar live atë takim edhe ish-gazetari i rinisë Ilir Kadia.

Po ajo tavolinë, po ajo skrivani, po ato kolltuqe!

Më tej ai iu drejtua në mbledhjen e aparatit të rinisë Kryeredaktorit të Zërit të Rinisë, Remzi Lanit:

"Remziii! Duhet ndryshuar gazeta! Tani shpejt do të kemi edhe opozitën përballë. Tani nuk ka më tralala, tralala, hipi miu në tra"!

Këto ishin mesazhe për ndryshim.

Ndërkohë, diku, në zyrat e KQ të PPSH përgatiteshin në fshehtësi listat dhe emrat e opozitës së re. Listat e kryetarëve të saj.

Në datën 8 Dhjetor, natën e revoltës së studentëve të gjithë aparatçikët u ngritëm në alarm për të qenë pranë tyre në godinat e Qytetit Studenti.

Asnjë urdhër, porosi, apo shkelje syri nuk na u dha për të bërë "zjarrfikësin e revoltës". E gjithë udhëheqja e vjetër e rinisë ishte aty. E gjithë masa studentore bashkë me të ndjerin Azem Hajdari ishte aty deri në të gdhirë. Po kështu edhe në ditët në vijim. Në sheshin "Studenti", në rrugë, në bulevard e kudo ku protestohej.

Tani po të pyes ty Edi Rama:

Ku ishe ti o Zot?

Kërkund! Kërkund! Kërkund!

Edhe në takimin me Ramiz Alinë kërkund.

Unë, isha aty. Me porosi i solla studentëve edhe autobuzin për në Pallatin e Brigadave. Ishim aty edhe në godinën 18-të, ku u bë përzgjedhja e pjesmarrësve. Edhe në autobuz, edhe në takim, edhe në bashkëbisedim.

Ku ishe ti?

Kërkund.

E të tjera, e të tjera që janë të shkruara në Ditarin tim dhe të kolegëve të atyre ditëve.

Si përfundim. Ke gënjyer. Ke gënjyer dje Europën dhe opinionin publik brenda dhe jashtë vendit.

Pluralizmin nuk e solle ti. Ti nuk ja vlen të kërkosh as falje. Ti ke qenë, je, dhe do të mbetesh i pabesueshëm. Ti nuk falesh.