Blog

Duhet votuar për njeriun, jo për partinë - Nga Endrit Mullisi

Nëse sistemi mazhoritar nuk vendoset sërish në legjislacionin zgjedhor tani që është në diskutim, nuk ka shanse që Shqipëria të drejtohet siç duhet.

E di që mbase ky postim nuk lexohet nga ata që do të duhej të degjonin popullin, por liria dhe pergjegjësia morale më bën të shkruaj, për të tjerët, për ata që jo vetëm ndryshuan adresën, por kanë vendosur të ndryshojnë dhe mënyrën e të menduarit.

Siç shohim tani, zgjedhjet nxjerrin në pah vetëm pula të nje koteci me një gjel inteligjent (që si dirigjent edhe pa folur ka krijuar sozi të vetvetes në çdo shtresë shoqërore). Pula që jashtë kotecit hiqen si gjela. Pula që dinë veç të hanë, të vishen dhe të kakërdhisin. Pula që dinë të dalin veç në foto dhe të bien dakort me parafolësin. Pula që po shtojnë radhët e analfabetëve me kollare dhe diploma me pare. Pula që perveç se të duartrokasin për xhaxhin shpëtimtar, dinë të vjedhin si gjeli që i lejon të futen në kotecin parlamentar.

Shqipëria është mburrur me të kaluarën legjendare me trima, me luanë apo shqiponja. Si kemi arritur që mendojmë se mentaliteti i kotecit do na çojë aty ku kombet e tjera evropiane kane shekuj që jane stabilizuar?

Sistemi mazhoritar do i japë mundësi një konkurrence të vërtetë midis atyre që do paraqesin veten si kandidatë për zonat e tyre. Nuk ka vend për spurdhjakë në zgjedhje mazhoritare, spurdhjakë të cilët janë shumuar këto vitet e fundit.

Ata që votojnë mund të edukohen dhe të votojnë njeriun dhe jo domosdoshmërisht partinë.

Shkruaj ndërsa e ndjej që shpresa se gjatë këtij shekulli shqiptarët do mendojnë dhe veprojnë si evropianë po venitet.

Anadollizmi është këmbëkryq dhe po hedh themele moderne në atë popullatë që po mbetet në Shqipëri.

Kur lexoj nganjëherë komentet në forumet partiake, shoh se Shqipëria nuk ka më shqiponja sypatrembura, por pula qorre dhe frikacake.

Fatkeqësisht, na duhet të lexojmë për trimat vetëm në librat e historisë!