Blog

Duhet të jemi me këmbë në tokë! - Nga Klodi Stralla

Le t’ua lemë të shkuarën historianëve dhe le të meremi me të tashmen e të ardhmen tonë!

Lexoj, edhe këtu në Facebook, shumë statuse që i kushtohen të kaluarës tonë iliro - pellazge, që kemi jetuar në këto troje më parë se popujt e tjerë ballkanikë, origjinës së arvanitasve të Greqisë, gjuhës shqipe, që pretendojmë se është çelësi i shpjegimit të të gjitha gjuhëve të botës, bile diku lexova se të gjithë prijësit e mëdhenj të lashtësisë, edhe vetë Napoleoni i Madh, i lindur në Korsikë, ishte me origjinë shqiptare. Natyrisht, e kaluara duhet njohur e studiuar, por kurdoherë në dobi të së tashmes dhe të ardhmes tonë. Mburrjet dhe krenaria false me të shkuarën e largët, kontraston dukshëm me gjendjen në të cilën ndodhemi.

Ne shqiptarët e kemi prej një shekulli shtetin tonë, por që fatkeqësisht ende nuk punon për të mirën tonë. Kemi pozitë gjeografike mesdhetare që e favorizon turizmin, por kemi turizëm të prapambetur; kemi pasuri kombëtare si nafta, kromi, bakri, bitumi etj, që na e kanë zili fqinjët tanë, por që nuk dimë se ku shkojnë të ardhurat prej tyre. Kemi liqene, lumenj dhe dete, por peshku është i shtrenjtë për gjysmë milioni pensionistët tanë apo industria e konservimit të tij është inekzistente. Kemi fusha pjellore, kodra e male të pyllëzuar, por ende mbizoteron bujqësia primitive dhe një agro-industri përpunuese shumë të pakët.

Ja, për të gjitha këto ja vlen të flasim, të analizojmë e të rekomandojmë zgjidhje. Mbi bazën e zgjidhjes së tyre të votojmë programet e partive dhe njerëzit që ato promovojnë për qeverisje. Le t’ua lemë historianëve e studiuesve temat e mëdha të së shkuarës të largët (që janë të vështira të argumentohen me statuse Facebook-u) dhe le të vemë në qendër të mburrjes dhe krenarisë tonë arritjet e sotme të vendit në ekonomi, arsimim e kulturë kombëtare. Atëhere do të jemi me këmbë në tokë.