Blog

Si duhet ‘lexuar’ ardhja e Christopher Hill në Tiranë - Nga Klodi Stralla

Dje mbërriti në Tiranë diplomati amerikan Christopher (Kris) Hill, një njohës i mirë i çështjeve ballkanike, i cili do të marë pjesë në Samitin për Paqen në Europën Juglindore që filloi punimet sot në Tiranë. Për Paqen flitet zakonisht aty ku ka rreziqe lufte.

Kam veçuar një fragment të intervistës së tij dhënë medias, që besoj ka interes të lexohet “mes rreshtave”.

“Ka njëfarë zhgënjimi me mos-hapjen e negociatave. Nuk besoj se zemërimi është mënyra e duhur për të shkuar përpara. Ato çfarë duhet të përmirësohen, janë gjëra të ditura dhe ja vlejnë të realizohen qofshi ose jo në BE. T’i bëni për veten tuaj. Duhet lënë menjanë zemërimi dhe t’i përvisheni punës”.

Si njohës i mirë i gjeopolitikës në Ballkan, ku ka kontribuar edhe si ambasador, Hill u pyet edhe në lidhje me Shengenin-Ballkanik. Sipas tij, asnjë marrëveshje për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve, nuk mund të nënshkruhet duke penguar marrëveshje të tjera më të mëdha. Lidhur me marrëdhënien Kosovë-Serbi, diplomati amerikan u shpreh:

“Ndryshimi i kufijve vjen vetëm me pranim të ndërsjelltë. Jam i mendimit se ndryshimet e kufijve, janë tejet të rëndësishme, dhe nuk mund të bëhen pa një dakordësi të historisë së këtyre kufijve dhe se si njerëzit e atyre vendeve ndihen. Njerëzit duhet të jenë shumë, por shumë të kujdesshëm në këto çështje”

Pra, si e lexoj unë, amerikanët nuk e shohin jetike qenien ose jo të shqiptarëve në BE (bastion amerikan në Ballkan) dhe as tabu ndryshimin e mundshëm të kufijve, nëse palët meren vesh mes tyre.

Nuk është rastësi që, po në këtë ditë, në Tiranë janë Albin Kurti dhe Hashim Thaçi që, me shumë gjasa, do ta takojnë diplomatin amerikan për të marë prej tij udhezime gojore për pozicionin kosovar në bisedimet e ardhëshme me Serbinë.