Blog

Një referendum për Albinin - Nga Ilir Levonja

Sikur Albin Kurti të votohej sot në Shqipëri, do merrte dyfishin e votave që mori në Kosovë. Dhe kjo ka domethënien e qartë që faktori aktual politik i Shqipërisë është tejet i konsumuar. Kësisoj dashje pa dashje, por më shumë e para, është krijuar një ambient ku më tepër se idetë, janë tekat e personave përkatës që dominojnë debatin për zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin e vendit në familjen europiane. Faktori politik shqiptar e ka thuajse të pamundur tërheqjen, e ka sikur ta shash nga gruaja sapo i përmend hapjen e krahut, apo dështimin. Kërcen pupthi dhe humb logjikën në gjithçka, arsyetimin e ka me inat fëmije, me atë inatin e lodrave dhe për rrjedhojë dhe Shqipëria i bëhet pronë personale.

Kujtoni rastin e grindjeve të fundit të Edi Ramës me gazetarët Mustafa Nano dhe Andi Bejtja në studion e opinionit. Punë shallvaresh, rakije, qepësh të njoma dhe mendja e mbushur e kryeministrit për sukseset imagjinare të Shqipërisë. Por kjo mund të thuhet edhe nga krahu i opozitës, një faktor që më shumë i është nënshtruar sistemit se çfarë thonë të huajt, se sa nevojës imediate të shoqërisë, zgjedhjeve të reja, pikërisht asaj që mungn. Por edhe ata të cilët bëjnë ca veprime radikale, janë figura të konsumuara. Pra e thënë më shkoqur, shoqëria shqiptare është e dënuar të presë pasi nuk ka mundësi për zgjedhje të reja që të riciklojë faktorin aktual politik, apo dështimin fondamental.

Kjo është me sa duket arsyeja që Albin Kurti po ofrohet në Shqipëri si një domosdoshmëri jetike. Web-et janë plot me memo sa shqiptarët janë gati t'i thonë, bëj të mundur një referendum social ku të votojmë se na plasi shpirti nga kjo anemi tranzicioni. Dhe në një farë mënyre duhet të thënë se shqiptarët janë shumë dashamirës të progresit. Por historikisht kanë patur fatin e keq, lidershipin më të keq, lidershipin më nopran sa vetë Shqipërinë, shtetin, shqiptarët e kanë konsideruar si pronë private, madje nuk kanë hezituar ta hipotekojnë Shqipërinë në emrin e tyre.

Rasti më ekselent është pikërisht ky që grindet studiove dhe merret me gjyqe me kryeministrin e Kosovës. Dhe ka një ndryshim thelbësor në fakt prurja Albin Kurti nga shtetari shqiptar i shtetit amë..., të gjithë këta erdhën nga pallatet një dhomë e kuzhinë dhe janë sot pronarë vilash, bankash, studiosh ligjore etj. Kurse Albini nga protestat kundër të huajit, shiti shtëpinë, me fondet e së cilës krijoi buxhetin e një Lëvizje apo partie politike, si e si të përmisojë jetën e shqiptarëve në Kosovë. Dhe foli tërë kohës për bashkimin kombëtar, por jo me propogandë, përmes fuqizimit ekonomik të të dy shteteve. Dhe në fakt kjo është rruga e duhur. E vetmja dhe jo propaganda e pinjollëve të diktaturës apo heronjve të dështimit aktual. Në fund të fundit, në mos Albinit, jepini shqiptarëve mundësinë e rizgjedhjeve, të tjerat janë përralla.

Opinionet e shprehura në rubrikat e ndryshme nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht mendimin e botuesit të Flasshqip.ca