Blog

Lulekuqja dhe sinqeriteti - Nga Saimir Lolja

Tani hyri Nëntori dhe në Perëndim, Europën Perëndimore, Amerikën e Veriut, Australi, Zelandën e Re dhe në vendet e NATO-s, përkujtohen ata që kanë humbur jetën në luftëra. Data e Ditës së Përkujtimit është 11 Nëntori. Për këtë qëllim vendoset që tani në jakat e xhaketës lulekuqja. Kjo lulekuqe në vendet perendimore vendoset në jakë nga shtetarët, politikanët, zyrtarët, mësuesit, nxënësit, studentët, gazetarët e TV, etj.

Shqiptarët u hidhëruan shumë këtë fund Tetori ngase nuk filluan bisedimet për t’u bërë përfundimisht pjesë e Bashkimit Europian. Që shqiptarët të duan sinqerisht të jenë pjesë e Bashkimit Europian, Perëndimit dhe NATO-s, nevojitet që sinqerisht të vendosin lulekuqen në jakat e xhaketave tani. Kjo do i shfaqte se i respektojnë dhe i mirënjohin ata perëndimorë që kanë humbur jetët në luftë, ushtarakë e civilë, për këtë Perëndim të dëshiruar që prej 30 vjetëve.

Nëse dëshirohet Bashkimi Europian, atëherë duhet treguar mbarë se respektohet Bashkimi Europian dhe përmendoret e tij. Populli shqiptar pret ta shohë shembullin udhëheqës të vendosjes së lulekuqes në jakën e xhaketës së pari prej shtetarëve dhe politikanëve të tij.

Për më shumë, lulekuqja ka ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar dhe muaji Nëntor është muaji i Festës Kombëtare Shqiptare.