Blog

Tentakulat e monopoleve edhe në festivalin e RTSH - Nga Jani Tane

Duke ndjekur nga larg ‘fushën magnetike’ të debateve rreth periudhës paraorganizative të realizimit të Festivalit të këngës në RTSH, sipas këndvështrimit të një profesionisti në realizimin e spektakleve dhe gjinive artistike në TVSH, vërej se së fundi po preket, si çdo qelizë e shoqërisë shqiptare edhe e vetmja strukture klasiko-demokratike liberale e këtij aktiviteti, i cili siç po shihet edhe nga debati kritik, është kthyer në monopol i një stafi pune të  cunguar, për të zvogëluar rrethin e përzgjedhjes së këngeve, duke nxjerrë jashtë shinave kompozitorë dhe poetë të afirmuar, pa një kritikë arti dhe transparencë profesionale.

Nga përvoja e zhvillimit të festivaleve dhe duke ndjekur rregullat e reja, kompozitorët dhe poetet profesionistë (brenda dhe jashtë Shqipërisë), janë të lirë të paraqesin krijimet e tyre dhe t'i nënshtrohen një konkurence tranparente, në përzgjedhje nga një juri e gjerë profesionistësh (deri në 12 vetë sipas rregullave të lojës dhe jo të cunguar), me përberjen e kompozitorëve, poetëve dhe kritikëve të muzikës.

Edhe regjisorët (në mungesën e një konkurimi profesional), kanë hisen dhe fantazinë e tyre, në realizimin e një spektakli final, në koordinim me skenografin, teknikën e avancuar dixhitale të kohës, përzgjedhjen e prezantuesve, zbërthimin figurativ të video-clipeve e deri në ndërhyrjen e interpretimit dhe përfytyrimit të poezisë nga këngetarët, me një të folur të qartë skenik dhe të kuptueshëm nga publiku artdashes.

Kjo është busulla e regjisorit të festivalit. Kur regjisori kalon kompetencat e profesionit të tij, sidomos në fazën e parë dhe pa qenë muzikant, kalon vijën e verdhë dhe futet në pronën e shenjtë të muzikës, për ta shtrënguar morsën deri në percaktimin me stil mafioz të këngës fituese dhe ndarjen e “trofeve” financiare brenda një stafi të korruptuar.

Tentakulat e monopoleve e klaneve të korruptuara, si tenderat e rrugëve, si një virus që ka prekur çdo cep të shoqërise shqiptare, po shtrijnë kontrollin edhe mbi Festivalin e këngës në RTSH. Përgjegjësi ka Ministria e Kulturës, por sidomos  kjo përgjegjësi i bie Drejtorisë së RTSH dhe strukturave juridike të saj, që po lejojnë të manipulohet buxheti i shtetit prej 400 milion, ne vend që të krijojnë një ndjenjë besimi në percjelljen me transparencë tek publiku të këtij evenimenti të rendesishem artistik.

Eshte koha të vihet dore sa nuk është vonë, për të rikthyer besimin tek muzikantët, poetët, këngetarët profesionistë dhe artdashesit me përzgjedhjen e merituar të këngës fituese, ose me menyren e hedhjes paraprakisht në bazë të numrit të shitjes në treg të disqeve të këngëtarëve, ose të votimit direkt nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, njësoj si në fushatë elektorale.