Blog

Autorizimi i Vuçiçit për të folur në emër të Shqipërisë dhe streçet me xixa të Ramës - Nga Alfons Zeneli

Rastet e dhunimit të sovranitetit të Shqipërisë si de facto ashtu dhe de jure, nuk janë të pakët në këto ditet e sotme. Një prej rasteve, psh ka qënë vënia e territorit tonë në tepsinë e oreksisë greke për të mbjellë varreza sipas qefit nga Dropulli e deri në Përmet. Fakti që nuk u ngritën varreza greke edhe në Tropojë, shpjegohet me mëshirën greke. Aso kohësh, Rama me një vendim qeveritar urdhëroi administratat e qarqeve dhe bashkive ku do instaloheshin varreza ushtarësh grekë që të viheshin në dispozicion të grupeve të punës me të gjitha mjetet financiare dhe logjistike. Pra, edhe po ua plotësonim grekëve tekat nekrofilike edhe po i ndihmonim financiarisht.

Tashmë, ato varreza shkelqejnë si piketa të territoreve të pretenduar nga ana e Greqisë, pretendime të cilat kamuflohen sikur janë thjesht pretendime të disa segmenteve të caktuara. Mirëpo mbi gjithë këtë shfaqje gjoja tolerance e madhështie nga ana Ramës, dominojnë dhe japin kuptim dy ''kleçka të vogla''; Ligji në fuqi i Luftës dhe moduli psikotik grek se aty ku ka ushtarë të vrarë, pra varreza, është tokë greke. Po edhe aty ku ka kishë greke, pra që flitet edhe greqisht, që arkitektura e kishës është greke mund të quhet Greqi. Po edhe Kristoja, dmth Krishti i lum, fliste vetëm greqisht. Dorëzim i sovranitetit nuk quhet vetëm nëse dikush mundet ta futë Shqipërinë në thes dhe ua fal fqinjëve për sevap. Dorëzim, cënim i sovranitetit janë të gjitha këto lloj aktesh absurde dhe turpëruese si i larpërmenduri apo kryeturpi i hedhjes së Shqipërisë si një copë salçiçe në gojën e ''bulldogut'' të Vuçiçit, Minishengen.

Minishengeni është mbrojtur nga Rama ashtu siç mund të mbrohet e pambrojtshmja, në mënyrë qësharake. Minishengeni nuk ka asnjë gjasë të jetësohet sepse të gjithë aleatët dhe populli janë kundër me strategjinë dhe qëllimet e vërteta të tij. Këtë gjë e dinë mirë edhe Rama edhe Vuçiç. Por zhurma e krijuar qëllimisht prej dy vëllezërve, synon të vetmen gjë të mundshme: restaurimin e imazhit të përgjakur të Serbisë dhe Vuçiçit. Kësaj duket se po ia arrijnë me sukses të plotë falë qëndrimit stoik të këtij tonit në pozicionin e preferuar të aktivëve sllavë. Dhe për këso festash, nuk ka rekuzitë më të mirë se sa buzët e Vuçiçit.

Si për ta konfirmuar përfundimisht nga pikëpamja formale vasalizimin e Shqipërisë, Rama ka autorizuar Vuçiçin që të flasë dhe në emër të Shqipërisë kur të bëjë avokatin e Minishengenit përpara Presidentit francez, Macron si nun në detyrë i bebeve jugosllave. Kjo nuk ka ngjarë kurrë më parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ka asnjë preçedent. Serbia është e rreshtuar më të gjithë segmentet e pushtetit, politikës dhe ekonomisë së saj në një aleancë aspak miqësore për të mos thënë qartësisht armike. Formacionet ku aderon Serbia janë kundërshtarë diametralë të SHBA. Serbia është ende nën efektin e plotë të patologjisë së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Bash në një kontekst të tillë zhvillimesh, kryeministri shqiptar i jep prokurë Presidentit serb për të folur në emër të Shqipërisë, për të mbrojtur interesat e Minishengenit serbocentrist apo thënë më shkurt, për të mbrojtur ''doktoraturën'' si tradhëtar sharlatan i kombit, me temë: “Si ta fshijmë Shqipërinë nga harta e Ballkanit”.

Rama, duke qënë se profesionalisht e ka origjinën nga artet figurative (pavarësisht se gjytyrym) i kushton rëndësi të madhe komunikimit nëpërmjet gjuhës së simboleve. Dhe jam i sigurt se diçka të rëndësishme ka dashur të thotë kur gjatë mbrojtjes së idesë së Minishengenit dhe kritikave ndaj Kosovës në një ekran para disa netësh, ishte paraqitur me streçe nikelato, me xixa dhe punim gjysëmrrjetë.