Blog

A është Natyra armiku ynë? - Nga Klodi Stralla

Photo:finglobal.com

Paraprakisht duhet të themi se mik është dikush që na këshillon e ndihmon në raste nevoje dhe armik i anasjellti i tij. Parë nën këtë përcaktim ngjarjet e këtyre ditëve të trishta, pas tërmetit, natyrshëm na bëjnë të pyesim: - A është Natyra armiku ynë?

Pa dyshim tërmeti është një dukuri e Natyrës, krahas përmbytjeve, rrufeve apo zjarreve masive, që i shkakton dëme njeriut, në jetën dhe pasurinë e tij. Mijëra vjet më parë, kur ai nuk dinte se nga shkaktoheshin ato, jo vetëm ua kishte frikën por edhe u lutej të tregonin mëshirë, duke i parë si perëndi, si fuqi të tilla që ai vetëm u nënshtrohej, pa qenë në gjendje t’i përballonte.
Por historia jonë 2-3 mijë vjeçare na dëshmon se me rritjen e njohurive tona është rritur edhe pushteti ynë mbi Natyrën, dhe jo në pak raste, këto forca të verbëra janë shndërruar nga të dëmshme në të dobishme; armiku i djeshëm është bërë miku i sotëm.

Nëse do të ndërtonim në vende të studiuara për qëndrueshmërinë e tyre sizmike (jo në toka ish kënetore), nëse do të respektonim teknologjinë e duhur të ndërtimeve antisizmike (jo me çfarëdo numër katesh), nëse nuk do të ndërhynim, sipas qejfit, në konstruksionin e banesave ekzistuese, me shtesa katesh pa leje, natyrisht dëmet do të jenë më të pakta, mbase edhe të papërfillshme. Kjo që thuhet për tërmetet vlen edhe për zjarret e përmbytjet prej të cilave kemi pasur jo pak dëme. Na mungon shteti që fqinjët tanë, me ndihmën që po na japin, na treguan se e kanë shumë më të përgatitur se ne.

 

Tagged under Klodi Stralla