Blog

Pse u kujtuam tani për Profesorët e tërmeteve? - Nga Ylli Dylgjeri

Gjatë tërë javës së tërmeteve, opininioni publik u njoh nga ekranet e TV-ve me profesorët e sizmikes dhe inxhinierisë së ndërtimit. Burra, apo gra të thinjur që trajtuan gjëndjen e tokës, të ndërtimeve, të ligjësive apo shkaqet e rënies së tërmeteve. Njëri prej tyre një natë thërriti: Nuk ka fajin toka, e ka fajin koka!

Të gjithë këto koka, të thinjur e të urte, të kulturuar e të ndriçuar nga shkenca dhe fusha e mbulimit na sqaruan se pse ndodhi katrahura e shëmbjeve.

I keni parë më parë gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së Rilindjes këta Profesorë? Sigurisht që jo!

Por sot, kur na ra morti, pse i kërkuam e i gjetëm? I pyetëm e po i pyesim çdo natë. Pse nuk pyesin ministrat apo drejtorët e administratës mediat per të na këshilluar e ndriçuar për shumë të bëra e të pa bëra në vite, por thërrasin Profesorët?

Përgjigja është e thjeshtë: Kjo është mëndja!

Të tjerët, ministrat e ministreshat janë çupëlina e rilindas playboy, që duhen për show kur i kërkon Shefi, dhe së fundi, për të menaxhuar ndihmat e fondet e fatkeqësisë që dhuron populli apo bota.

E njeh kush Drejtori i Emergjencave Civile? Deri tashti është nje anonim pa fytyrë, pa emër e pa numër, që nuk u pa kërkund këto ditë katastrofe.

U pa vetëm një ish-polic, paraardhës i tij, që i mori fytyrën në çdo ekran pasardhësve. Po tjetër kush u pa?

Këto ditë u panë shumë të paparë, por ai që u pa më shumë, si një gjitholog, ishte një burrë i gjatë që i pret shtyllat e betonit me sopatë dhe mban benevrekë të gjatë.