Blog

I shkatërruat shkollat si Millosheviqi - Nga Lis Bukuroca

Kur arsimtarët kanë fytyrë të akuzojnë nxënësit për paaftësinë e tyre në motivim dhe transmetim të dijes, atëherë kemi të bëjmë me një shtresë të arsimtarëve të prishur dhe korruptuar në shpirt! Arsimtarët e papërgatitur në aspektin pedagogjik dhe didaktik, nuk janë në gjendje dhe nuk do të jenë kurrë të kuptojnë as detyrën, as arsyen pse marrin rroga!

Sa përqind e atyre arsimtarëve përcjellin pedagogjinë moderne?

Sa përqind prej tyre informohen vazhdimisht për përqendrimin dhe mënyrat më efektive të të mësuarit dhe mbamendjes?

Sa për qind nuk janë të kualifikuar?

Sa për qind kanë blerë diplomat pas luftës?

Sa përqind prej tyre i bren ndërgjegjja se po marrin rroga duke punuar keq? 

Në shoqëritë e shkatërruara moralisht, faji gjithmonë hidhet te të dobëtit, te të të pafajshmit dhe tek ata që nuk mund të mbrohen! Perversioni, injoranca dhe keqdashja lexohet në përligjjet e tyre dhe dezertimin nga përgjegjësia. Në vend se të kërkojnë falje, në vend se të premtojnë përmirësimin, ata arsyetohen dhe përpiqen të fajësojnë të tjerët për punën e tyre katastrofale!

Tani shtrohet pyetja: Si të mbrohen nxënësit e mitur nga nga akuzat e arsimtarëve të moshës madhore?! Kush do t’i mbrojë ata nga mësuesit e tyre?

A nuk ndiejnë turp ata kur shfaqen para nxënësve duke ditur tash e disa vite, se puna e tyre nuk sjell rezultate, por vetëm rroga për ata, që çdo vit e dëshmojnë se nuk i meritojnë!

A nuk ndien turp ministri i Arsimit, se është ministër aty ku praktikisht vetëm arsimim nuk ka?

A nuk turpërohen drejtorët e shkollave, kur dëmtojnë vetëm buxhetin e vendit dhe me të, edhe ardhmërinë e brezit të ri?!

A nuk i vjen turp kryetarit dhe kryeministrit në ikje, që krijoi Qeveri aq të madhe, gati sa Kuvendi me deputet?

A nuk po kuptoni se shkatërruat shkollat mu si edhe Millosheviqi?

Si është e mundur se shkollat në kohën e Titos ishin më solide, se sa në kohën e Hashimit?

Si të motivohet një fëmijë për të shkuar në shkollë kur e di se aty kalohet koha, por nuk mësohet?

A nuk shihni se populli dëshiron të ikë nga liria juaj, që e konsideroni vetëm tuajën duke ngulfatur edhe shtetin, duke penguar edhe përparimin, duke shkatërruar edhe fakultetet duke vendosur drejtorë shërbëtorë, që iu rrinë juve gatitu?!

Në vend se të shtrohej pyetja se si është e mundur  që një arsimtar të mbarojë fakultetin i paaftësuar në gjuhën letrare, ata ia hedhin fajin edhe gjuhës letrare për mungesë suksesi, edhe pse vetë nuk e flasin nëpër klasa. Venetët e Italisë dhe napolitanët nëse flasin në dialektet e veta, nuk kuptohen, por për paaftësinë e arsimtarëve, nuk akuzojnë gjuhën italiane. Gjuha shqipe është aty dhe detyrë e arsimtarëve është ta zotërojnë, nëse jo, le të marrin shatin dhe le të dëmtojnë arat, por jo brezin e ri!

Nëse një arsimtar i anglishtes nuk mund të mbarojë fakultetin pa e njohur anglishten, si është e mundur që një profesor i gjuhës shqipe, as nuk e flet si duhet, as nuk di ta shkruajë si duhet, por është arsimtar i shqipes, apo profesor i gjuhës shqipe në fakultet?

Asnjë arsimtar nuk përmendi grevën dhe humbjen e orëve të mësimit si shkaktare e mundshme e degradimit kolektiv, por fajtorët i kërkojnë gjithmonë jashtë vetes. Ky fakt është tregues se ata nuk kanë ndërmend të ndryshojnë, por janë të bindur se janë të përkryer. Kur ata ashtu mendojnë, e pësojnë nxënësit. Sot përvetësimi i diturive nuk mbaron me studimet, por me mbarimin e jetës. Nëse arsimtarët nuk lexojnë, faji është te vetëdëmtimi i tyre.

Si të mënjanohet kultivimi i injorancës duke humbur kohë nëpër klasa?

Qeveria e ardhshme duhet të ndërrojë të gjithë drejtorët e shkollave, nëse nuk dëshiron zbrazjen e vendit. Armiku më i madh i Kosovës nuk është sot Serbia, por shtresa injorante me pushtet dhe narcizizmi i mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve. Të parët po rrënojnë të tashmen, të dytët të ardhmen.

P.S. Nuk mund të jenë të gjithë të këqinj, ka edhe arsimtarë të mirë, por ata duhet të distancohen nga ajo shtresë oportuniste…