Blog

Donald Trump dhe Kadiu me tespihe - Nga Ilir Levonja

Ajo që po qarkullon sot kudo është lajmi mbi shkarkimin e Presidentit Trump. Por pas votimit të mbrëmshëm, a është i shkarkuar vërtetë Presidenti? Dhe çfarë domethënie ka përfundimi i votimit mbrëmë për një tërësi mentaliteti në Shqipëri, ku për analogji edhe ne duam të largojmë nga detyra Presidentin tone?

Së pari e gjitha nis me një proces kushtetues për të hetuar mbi Presidentin, pra një e drejtë kushtetuese e kundërshtarit politik. Kësisoj është ajo forma me komision hetimor që kemi majmunizuar edhe ne si gjoja demokratike. Nga nëntë akuza të ngritura karshi Donald Trump-it, u votuan vetëm dy. Kjo në dhomën e përfaqësuesve apo ligjëvënësve etj., me shumicë të majtën amerikane. Ai që vendos për shkarkimin e Trumpit është Senati, një organ mbi dhomën e përfaqësuesve.

Si përfundim çfarë ndodhi mbrëmë nuk është se u shkarkua Donald Trump-i apo Presidenti, por ai u ngarkua me faj për dy akuza. Pra si me thënë pjesa dërrmuese në Dhomën e përfaqësuesve, e majta e gjeti fajtor në dy akuza. Jo e djathta, madje duhet cilësuar se sa solide ishte e majta në votim, me afro 232 vota pro, po aq ishte edhe e djathta, 198 vota jo, që nuk e shohin si fajtor Presidentin. Pra në Dhomën e përfaqësuesve ku dominojnë të majtët është fajtor dhe nuk është i tillë për djathtët. Dhe deri sa shohim një konsolidim të votimit sipas krahëve, kjo është e lexueshme se si do ta votojë Senati këtë proces hetimor që dominohet nga të djathtët.

Vetë Trump tha me ironi në faqen e tij në Twitter se mbrëmë u gjeta fajtor nga partia që nuk bën asgjë, por pa asnjë votë pro nga të djathtët. Kështu që ai që e cilëson si fajtor është krahu kundërshtar, që natyrisht e ka kthyer në një fushatë të fortë politike për më tepër që po afrojnë edhe zgjedhjet presidenciale.

Kurse tek ne në Shqipëri ka interpretime që Presidenti i Amerikës është i shkarkuar. Dhe ndofta e kanë për frymëzim që si e si e sa më shpejt të shkarkojnë Presidentin e tyre. E kanë sa për të thënë që ja edhe Amerika e bëri. Se jo se nuk e shkarkojnë dot. E shkarkojnë që sot. Pasi në Shqipëri ka vetëm një pushtet, ai i Kadiut të Kolonjës. Se Dhoma e përfaqësuesve a Kuvendi nuk ka ndonjë Senat mbi kokë. Apo Gjykata e të tjera, megjithëse edhe po t'i ketë prapë nuk vlejnë. Ai që vendos e vulos është Kadiu me tespihe.