Mbi turpin - Nga Artan Fuga
Pse kafshët nuk kanë turp, kurse njerëzit kanë turp?
Si lindi turpi te njerëzit e parë?!
Kush i tha i pari tjetrit: Të kesh turp të kesh!!!
Cfarë i tha ky i dyti: Turp të kesh ti!
Apo: Pse të kem turp?
Ose : Çfarë është turpi?
Pse ka njerëz që nuk kanë turp?
Këta të fundit janë më shumë sesa njerëz apo më afër kafshëve?
Si u ka dalë turpi?
Si hahet turpi me bukë!
Çfarë lidhje ka që njeriut me turp i skuqen faqet?
Kurse atij pa turp i zverdhet fytyra.
Përse nuk ka turp njeriu kur është vetëm?
Përse vështrimi i tjetrit përpara dikujt të paveshur e bën këtë të fundit me turp?
Kërkoj në tekstet e shkollës së mesme ndonjë fjalë përsa më sipër, asgjë për bé!
Latinisht turpit i thonë turpem?
Ka marrë shqipja nga latinishtja apo latinishtja nga shqipja e origjinës, apo të dyja kanë marrë nga një gjuhë e tretë edhe më e lashtë?
Nga latinishtja, gjuhët e tjera për këtë fjalë kanë ikur sepse frëngjishte: honte, italisht: vergogno, anglisht: shame.
Kurse shqipja nuk i ikën rrënjës: turpem - turp!
Duket kontakti i hershëm i gjuhës sonë me latinishten përpara sesa kjo e fundit të bëhej italisht, frëngjisht, etj.
Kemi turp ne që t'i ikim fjalës turp?
Kemi turp të ndryshojmë?
Pse të ndryshojmë?
Kush ka turp mbetet në vend apo ecën më shumë se të tjerët?
Nëse ata pa turp janë më të fortë se ata që kanë turp atëhere përse këta të dytët kanë turp?
Kush i bën me turp?
I paturp është sharje apo lavdërim?
Si hahet turpi me bukë?
Pse hahet dhe nuk pihet me ujë?
I dehuri, a ka turp?
Po budallai ka turp?
Apo ai që ka turp është budalla?
Pse burri ka turp të sillet si grua, dhe gruaja ka turp kur i thonë se po sillet si burrë?
Sa shumë pyetje!!!
Kur Frojdi shpjegon turpin, ai e shpjegon si lind turpi te çdo njeri, apo si lind ai te Hebrenjtë sikurse ai ishte?
Po të kishte turp Jezusi, përpara tij Moisiu, dhe të gjithë profetët, a do të predikonin ata fenë e tyre?
Kur të kesh turp quhet pjesë e edukatës, atëhere përse është keq kur turpërohesh dhe bëhesh me turp?
E mbuloi turpi. Përse turpi merret si batanije ? Mbulohesh.





















