Blog

Ngadalë me Shengenin Ballkanik Zoti Rama! - Nga Xhevdet Nasufi  

Çuditërisht, në Shqipëri projekti antikosovar/shqiptar (?!), në Kosovë me të gjitha mjetet e mundshme po pengohet Kurti të ndërtojë qeverinë, kurse në Maqedoni partia shqiptare në pushtet mban Kongres që pak dallon nga ato të partive komuniste. Koincidencë apo komplot? Është dilemë shekspiriane.

Ne shqiptarët jasht shtetit amë, natyrshëm, jemi më të ndjeshëm në sasinë e kujdesit dhe brengës për të ruajtur qenien kombëtare, por edhe tendencën demokratike dhe zhvillimore për shkak të mbikqyrjes së vazhdueshme të kundërshtarëve në shtetet që jetojmë. Në projektin e “Shengenit ballkanik” kjo ndjesi edhe më shumë problematizohet, pasi të njejtit i prijnë aktorë të kampit të demokratëve të rrejshëm në Serbi, Vuçiqi dhe Daçiqi, por mbase edhe në Maqedoni.

Historikisht dhe tradicionalisht shqiptarët asnjëherë nuk i kanë kundërshtuar komunikimet dhe marëveshjet si sens bashkpunimi. Por, me sllavët pothuajse pa përjashtim, nga këto marëveshje kemi dalë të mashtruar, të humbur dhe të zhgënjyer. Konkretisht, sllavët në raport me shqiptarët nuk kanë reflektuar dashamirësi, u janë shmangur marëveshjeve dhe maksimalisht e kanë ushqyer pabesinë dhe përhapjen gjer në çmenduri të të pavertetave, por edhe shumë më tepër se kaq. Pra, kanë zhvilluar propagandë denigruese për shqiptarët në mënyrë dhe formë që edhe marëveshjet e nënshkruara me ta i kanë shtrembëruar, nuk i kanë zbatuar, për të përligjsuar krimin, padrejtësinë, gjenocidin.

Mjerisht, falë konformizmit modern shqiptar, sllavët kanë arritur me propagandën agresive të zbehin raportin dhe pozitën e shqiptarëve me faktorin ndërkombëtar si partnerë strategjikë. Politika në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, me ndërkombëtarët është e mbuluar me finesa diplomatike, me retorikë dhe kulturë gojore, me servilizëm të paparë, bon ton të ushtruar enkas për dekor, altruizëm pacifist që e ndihmon mjaftueshëm propagandën sllave me të pavertetat e saj kundër shqiptarëve, atë serbe në veçanti. Harron politikbërja shqiptarët qëllimshëm , se kombet dhe shtetet e zhvilluara në botë nëpërmjet politikave nacionaliste, agresive dhe (shikoni luftën ekonomike të Trump-it me Evropën, NATO, Kinen) progresiste kombëtare arriten aty ku janë sot. Bile, edhe maqedonasit me politiken agresive ndërkombëtare kohëve të fundit ashtu si edhe serbët, arriten ta defaktorizojnë në masë të konsideruar elementin shqiptar këtu (kujtoni luftën në Kosovë dhe Maqedoni ) në Maqedoni, dhe shqiptarët, dikur tejet të rëndësishëm në strategjin përëndimore, tani nuk konsiderohen as element de/stabilizues në Ballkan.

Zoti Rama, shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni kanë përvojë të hidhur me marëveshjet e arritura me serbët dhe maqedonasit. Të tilla kanë qenë edhe marëveshjet që kanë arritur dikur krerët e Shqipërisë me sllavët. Togfjalëshi i ëmbël i juaj se e kaluara na ndan dhe e ardhmja na bashkon, nuk është i përputhshëm me gjendjen dhe poziten e shqiptarëve në Ballkan. Vallë,mos duhet sot me një nënshkrim të pamenduar mirë të robëroni Shqipërinë edhe nga ata që nuk na duan, apo që serbët ate që nuk arriten me luftë dhe mundime, ta “okupojnë” Durrësin dhe Shkodren me qilim të kuq?

Na shqiptarët këndej kufirit zoti Rama e dimë mirë se marëveshjet me sllavët as dje dhe as sot nuk u kanë sjellë lumturi shqiptarëve. Kujtoni marëveshjet më të reja të Kosovës me Serbinë pa rezultate, për faj të Serbisë, por edhe atë të Shqiptarëve të Maqedonisë në Ohër, e sakatosur maksimalisht nga maqedonasit.

Fjalori dhe arsyetimi juaj për gjoja nevojen e bashkëpunimit dhe uljen në tavolinen e bisedimeve... është i parakohshëm dhe i papërshtashëm:

Së pari, Vuçiqi dhe Daçiqi si dy figurat më të shquara të partive që udhëhoqen luftën në Kosovë kundër shqiptarëve (të prira nga kriminelët Millosheviq dhe Sheshel), edhe me një fjalë të vetme nuk kanë kërkuan falje dhe nuk u përkulën para viktimave në Kosovë, para mijëra të dhunuarve dhe të pagjeturve. Përkundrazi, me gjithë zellin dhe mjetet politike punuan/ojnë kundër njohjeve ndërkombëtare, punuan për coptimin e Kosovës dhe mbajnë peng sovranitetin e shtetit me bandat në Veri.

Së dyti, Marrëveshja e Ohrit. Edhe pas 15 vjet vonese (në vitin 2004 është dashur të zbatohet), gjuha zyrtare shqipe jo që nuk po e gjen institucionalizimin dhe zbatimin në praktikë por, aktualisht është humbur në labirinthet e Komisionit të Venecias si Ligj i pazbatueshëm. Krahas kësaj po kjo Marrëveshje në sensin themelor nuk u konkretizua në sasi dhe cilësi, në parametrat e tjerë të rëndësishëm, mu për shkak të interpretimeve restriktive të maqedonasve, me të cilët lehtë u pajtuan edhe shqiptarët. Por, edhe më zhgënjyese për ne shqiptarët këtu në Maqedoni është ajo: “Sakrifikuam” luftën këtu për të qenë të barabartë me maqedonasit si shtetndërtues, fatkeqsisht ky objektiv madhor dhe i kapshëm, jo që nuk u zbatua sa duhet dhe si duhet por, realisht para nesh vazhdojnë përpjekjet e sukseshme të maqedonasve të na margjinalizojnë, të sakatosin shqipen si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.

Së treti, ideja e bashkimeve në Ballkan (pavarësisht impenjimit dhe përkrahjes të dyshuar ndërkombëtare dhe të sinqertë) është produkt serbomadh që intensifikohet kohë pas kohe,në veçanti pas shkatërrimit të Jugosllavisë Federative, si zonë e ndikimit serb.

Së katërti,ideja e unionit ballkanik natyrshëm se është edhe lidhshmëri territoriale por, në sensin e vet është sfidë dhe alternativë ndaj BE-së. Edhe për këtë, me këtë union nuk duhet të pajtohen shqiptarët por, edhe për një fakt tjetër të rëndësishëm, për mungesën e theksuar integruese brendashqiptare (jo në kontekst teritorial) që duhet të karakterizojë çdo popull të civilizuar dhe modern.

Së pesti, Shengeni ballkanik në këtë kohë dhe konstelacionet gjeostrategjike (përfshi impeachment në SHBA dhe zgjedhjet presidenciale atje që duhet të priten për vendimet e mëdha që duhet ti marrim) por edhe për arsye të negociatave për marëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, pos që është i parakohshëm, i papërshtashëm, është argument i disfavorishëm për Kosovën në negociata me Serbinë dhe fuqizon pozicionin negociues të Serbisë.

Krahas këtyre, Zoti Rama, me këtë iniciativë Kosovën e futni në ngrirje të mëtejshme të mungesës së sovranitetit shtetëror në tërë territorin e saj, por  edhe në izolimin e mëtejshëm të saj ndërkombëtar. Për kundërpeshë, inkurajohet Serbia për politikat ndëshkuese ndaj Kosovës. Me një nënshkrim të Shengenit Ballkanik, ju Zoti Rama, do e “anuloni” taksen si akt juridik-ekonomik të një shteti të lirë dhe sovran ndaj Serbisë, por edhe do e fuqizoni luftën ekonomike kundër Kosovës. E dëshironi apo nuk e dëshironi këtë dënim, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, Kosova do e paguajë shtrenjtë, sepse gjithmonë lufta brenda vetes është më e kushtueshme dhe më shkatërruese.

Pra, referuar këtij kuadri argumentesh, Shengeni Ballkanik nuk është interes i shqiptarëve Zoti Rama, para se të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi me marëveshje përfundimtare. Ai është vetëm interes i Serbisë dhe në fund edhe i Maqedonisë.

Po në funksion të kësaj, Shengeni Ballkanik që po dëshironi ta promovoni mes shqiptarëve, serbëve dhe maqedonasve, domosdo duhet të ketë një konsensus gjithëshqiptar. Shqiptarët e Kosovës në plebishit u deklaruan kundër tij. Është për te ardhur keq që vetëm qeveritarët shqiptarë në Maqedoni, me heshtjen e tyre po e përkrahin të njejtën gjë, por jo edhe qytetarët shqiptarë këtu. Në këtë moment historik, për Kosovën dhe shqiptarët me rëndësi është dialogu me Serbinë, jo Shengeni. Prandaj, nuk duhet nxituar me iniciativën. Inkohezioni i theksuar politik brendashqiptar (keni kontribuar mjaft edhe ju për këtë) është arsye e fuqishme që ky projekt të presë ndërtimin e një ambienti më të mirë politik, më mirëbesues, si brenda shqiptarëve, ashtu edhe në marrëdhënie me serbët dhe maqedonasit. Ndasia politike institucionale Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut është shqetësuese. Në momente të këtilla Zoti Rama, nuk merren vendime të mëdha kombëtare në menyrë të njëanshme.