Blog

Krishtlindja dhe turpi i Ministrisë së Arsimit të Kosovës - Nga Ndue Ukaj

Ministria e Arsimit e Kosovës, me një vendim të poshtër, ka bërë që fëmijët tanë, ndoshta të vetmit në Europë, të mbajnë mësim edhe gjatë festave të Krishtlindjes.

Nuk e di kush e ka marrë këtë vendim dhe pak rëndësi ka kjo, por vendimi si i tillë është i poshtër dhe idiot.

Ne përditë çirremi përpara dyerve të Europës. Përgjërohemi dhe i thyejmë këmbët e gjunjët duke u përpjekur të hyjmë në të. Nervozohemi sa herë që nuk marrim lajme të mira prej saj, por veprimet tona, shpeshherë janë krejtësisht joeuropiane.

I tillë është edhe vendimi për t’i detyruar fëmijët tanë që të shkojnë në shkollë në kohën e Krishtlindjeve, kur krejt Europa pushon.

Me siguri, vendimi i Ministrisë së Arsimit nuk është motivuar nga nevoja për të mësuar apo për të rritu cilësinë në shkolla, sepse ne jemi në të gjitha pikëpamjet më së keqi në Europë, por me dofarë idesh të marra, që tufa e shkretanëve të politikës, nuk dinë as t’i gjykojnë e as arsyetojnë.

Vitin e kaluar kam shkruar për këtë vendim dhe ministri më ka shkruar se do ta shqyrtojë këtë çështje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Shkolla duhet të përfundojë mësimin para 24 Dhjetorit, siç ka qenë dikur dhe siç ndodh kudo në Europën e qytetëruar, ku aspirojmë të integrohemi. Sepse Europa simbolikat i vlerëson shumë.

Prandaj, e përsëris, është poshtërsi dhe vendim i lig që fëmijët tanë, të ndahen prej fëmijëve europianë dhe prej mijëra fëmijëve shqiptarë që jetojnë nëpër Europë.