Blog

Festivali i Minishengenit kulturor Darko Magjikov - Nga Alfons Zeneli

Ka shumë vitë që në njërën prej ngjarjeve të rëndësishme të muzikës spikat dhe ''Kënga Magjike''. Pa dashur të ndërhyj në aspekte ngushtësisht profesionale siç është standardi artistik i prurjeve të festivalit në fjalë, jam ndalur shpesh tek dy shfaqje tërësisht të padenja për një skenë arti. Sistemi kuplara i votimit, ku këngëtarët konvertonin në pikë gjithë simpatitë, lidhjet, mllefet, vrerin dhe inatin meskin ndaj njëri tjetrit duke instaluar si të ligjshme publikisht subjektivitetin dhe humbjen e çdo kontakti me vlerat e vërteta, si dhe dominancën egzaltuese të një maqedonsi të çuditshëm të cilin tashmë e kanë dëgjuar të gjithë: Darko Dimitrov. Në thelb, dukej se lufta e vërtetë ishte ajo për prenotimin e Darkos dhe jo ajo për marjen e çmimit, pasi prenotimi i Darkos përbënte automatikisht dhe të vetmin shans për të marë një çmim. Erdhi një momet që festivalin ''Kënga Magjike'' mund ta quaje edhe 'Kënga Magjikov''. E gjithë kjo situatë solli kompromentimin deri në qelizë të atij kompeticioni artistik. Shqetësimi ynë lidhet me faktin se këto ngjarje kanë impakt shumë të rëndësishëm tek publiku dhe tek strukturimi i shijeve estetike të tij gjë që është detyrim për mediat, pavarsisht se Fesivali i Këngës ''Darko Magjikov'' është privat.

Tani le të vijmë tek ajo që prej 58 vitesh ka shënuar kulminacionin e këngës shqiptare. Sivjet pra, Festivali i 58-të i Këngës në RTSH ka provokuar sigurisht jo mëkot polemika e debate të gjëra. Darko Dimitrov ka gjetur pa asnjë vështirësi shtegun e depërtimit edhe tek Festivali i Këngës në RTSH. Personalisht, sapo e mësova këtët fakt, pata parandjenjën e keqe se organizatorët, përzgjedhësit dhe juria do të binin në një unison fatlum për të votuar Darkon, se çmimi i parë do t'i akordohej atij. Kësaj radhe ai ishte i përforcuar edhe me një partner tjetër doemos maqedonas në kompozimin e këngës fituese.

Kur Darko Dimitrov mbretëronte në fronin e Këngës Magjike, lëpirësit e tij publikë të inferiorizuar deri në neveri trumpetonin se ai ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë të njohur e të mëdhenj dhe lista ilustruese përbëhej vetëm nga këngëtarë maqedonas. Pikërisht ky pronar kioske këngësh e kompozimesh, këtë vit ia ka mbërritur të sfidojë dhe kompozimin e fundit të madhorit shqiptar Agim Prodani. Juria ka preferuar Darkon para kompozitorit tonë legjendar, kënga e të cilit duhej të ishte edhe sikur festivali të bëhej me një këngë të vetme. Por jo. E kush mund ta konkurojë Darkon dhe fuqinë e errësirës së klaneve apo pazareve që fshihen pas tij?

Triumfi i Darkos dhe flakja tej e një vlere universale në botën shqiptare siç është Agim Prodani, përbën treguesin më të qartë se si Fest 58 u shndërrua në një palaçoiadë antivlerash, biznesi muzikor dhe simbol i turpit. Nga ana tjetër, skandal paraardhës ishte dhe formulimi i jurisë. Me gjasë edhe kjo lloj skemë në funksion të planit për kurorëzimin e Arilenës dhe Darko Dimitrovit me kurorën kombëtare të këngës shqiptare. Parandjenjën se festivalin do ta fitonte Arilena dhe Darko Dimitrov e kishin dhe shumë të tjerë. U tha që para se të fillonte festivali. Kish të bënte me intuitën dhe fuqinë prognostikuese të publikut apo me rrjedhje informacioni nga parafabrikuesit e çmimit, kjo nuk dihet me saktësi, por ka shumë gjasë të jetë kjo e dyta. Sepse qarkulloi dhe shpifja që ky çmim ishte parapaguar me një shifër që vërtitej te gjysëm milion euro. Juria e papreçedent e mbushur me të huaj dhe jo kompetentë plotësoi konturin e maskaradës së regjisuar plot kujdes për Fest 58.

Një tjetër kumt vjen edhe prej faktit se e gjithë trupa realizuese përbëhej nga njerëz të cilët nuk ishin kontigjent i RTSH. 90% e trupës që ka marrë pjesë në realizimin e Festivalit të 58-të të këngës në RTSH ishin punonjës të një tjetër televizioni privat. Ky tregues përbën një pyetje natyrale për drejtuesin e RTSH, z. Thoma Gëllçi. Përse e ka paaftësuar ai institucionin që drejton deri në atë gradë sa nuk është në gjëndje të bëjë festivalin, eksluzivitetin e tash 58 viteve? Çfarë çalon në institucionin e tij të rilindur? A mos vallë është molepsur edhe ky institucion nga metastazat e tenderave, bakshisheve, mikrokonçencioneve? Por kjo do të jetë temë e cila do të trajtohet më në detaje në një të ardhme të afërt.

Fitimi i çmimit prej një kompozitori të huaj ndërkohë që vite më parë kishte njerëz që villnin vrer ndaj kosovarëve pjesëmarrës në festival, prezantimi i Shqipërisë me një kompozitor maqedonas, primacia e programeve me këngë serbe në kanalin muzikor të RTSH, juria multietnike dhe aspak profesionale, trupa prodhuese pa asnjë lidhje me RTSH, fenomeni Alketa-show si fansja më e përgjëruar e çorapeve të globalit, ndryshimi i beftë dhe në ilegalitet e në minutën e fundit i kritereve të pranimit të këngëve por dhe plot elementë të tjerë, bëjnë fjalë për një festival privat të Gëllçit, autorëve të këngës fituese dhe sektit të magjistarëve antivlerë. Nuk është aspak çudi që vitin e ardhshmëm këngëtarëve kosovarë t'ua ndalojnë me ligj pjesëmarrjen, të ftojnë edhe këngëtarë e kompozitorë serbë përveç maqedonasve për t'i dhënë kështu dorën e fundit festivalit të minishengenit kulturor.