Blog

2020, shpresa e vetme bashkimi i gjithë opozitarëve - Nga Bujar Llapaj

Nga: Bujar Llapaj

Edhe dy ditë sa të ketë dalë rakia dhe euforia e "festave" dhe "çmimeve" të jetë avulluar, shqiptarët do ta gjejnë veten në baltën e 2019-ës dhe do të kuptojnë se realisht “Njeriu i Vitit” është ai, Kryeministri, me të cilin askush nuk mund krahasohet për paaftësinë, ligësinë, makutërinë, cinizmin, pabesinë, demagogjinë, Ai, Kryeministri që ka vënë nën thundër një popull të cilësuar "krenar". Dhe do të jetë përsëri ai, Kryeministri, “Njeriu i Vitit” 2020, sepse ky regjim hajdutësh, gangsterësh, injorantësh nuk largohet me peticione, denoncime, etj. etj.

Shpresa e vetme do të ishte një bashkim i të gjithë opozitarëve, jo thjesht opozitës politike, me qëllimin e përbashkët për:

a) Dorëheqjen e Kryeministrit si projektuesi, zbatuesi dhe përgjegjësi kryesor për gjendjen katastrofike ekonomike dhe sociale të Shqipërisë;

b) Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor që deputetët të zgjidhen direkt nga populli, jo nga listat e kryetarëve;

c) Deri në zgjedhjet e parakohshme vendi të drejtohet nga një qeveri teknike.

Ka edhe shumë çështje të tjera ku të gjithë opozitarët mund të bashkohen për të nxjerrë vendin nga kriza dhe kolapsi ekonomik e institucional në qoftëse realisht dhe sinqerisht mendojnë për Shqipërinë.

Shqipëria ka shpresë kur të diturit, të mënçurit, të qytetëruarit, dinjitozët modestë nuk do të presin ftesa për "Ballo" por do të marrin guximin të dalin në rreshtin e parë të barrikadës, ndryshe nuk duhet të ankohen pse po drejtohen nga llumi, të fortët apo "legjendat".