Blog

Pozita e Donald Trump pas një jave dramatike - Nga Hajro Çini

Nga: Hajro Çini

Një javë dramatike duket se kaloi pa përshkallëzim dhe Presidenti Trump me një gur vrau njëkohësisht disa zogj.

Ka hyrë në vitin e katërt të Presidencës dhe nuk ka bërë asnjë luftë, megjithë presionin shumë të fortë nga Neokonservatorët, Evangjelistët, lobi Hebre dhe Netanjahu.

Ka kërkuar të bëjë marrëveshje me Korenë e Veriut, pasi e kërcënoi se mund ti hidhte bombën atomike, dha udhër të bombardohej Irani, pasi ata rrëzuan një avion që kishte shkelur hapësirën ajrore, dhe pas 10 minutash ndërroi mendje. Neokonservatorët u tërbuan fare.

Është në valën e procesit të akuzave në Kongres, por Pelosi, në shkelje të Kushtetutës, nuk dërgon artikujt në Senat deri sa të sigurojë mbështetje në aty për hetim të mëtejshëm, gjë që duhej ta kishte bërë Kongresi.

Izraeli po shkon për të tretën herë në zgjedhje sepse Netanjahu nuk krijon dot qeverinë.

Arabia Saudite, e thyer në Siri dhe në vështirësi në Jemen, përflitet se ka kërkuar të zbusë situatën me Iranin, e mirëpritur nga ky i fundit. Sulejmani ishte emisari i ngarkuar nga Udhëheqësi Suprem të bisedonte me Mbretin e Arabisë Saudite, gjë që nuk i intereson Izraelit.

Trump është në vitin elektoral. Ai ka realizuar fitore të mëdha kundër “Shtetit Paralel” (Deep State) që luftoi me intensitet, në shkelje të Kushtetutës që ti prishte fitoren atij.

Ka mbushur trupën gjyqsore, si asnjëherë më parë, më gjykatës konservatorë.

Ka realizuar mrekulli ekonomike në USA, por nuk ka asgjë për tu mburrur në politikën e jashtme, ku duket se e ka akoma administratën e DASH të gjithë kundër.

Në këto rrethana ai urdhëroi vrasjen e Solejmanit, i cili fitoi luftën në Siri ndaj ISIS dhe Al-Kaedës, dhe me të cilin, amerikanët, pas fitores së Trump-it, bashkëpunuan për të shpartalluar ISIS.

Vrasja është bërë në shkelje të ligjit ndërkombëtar, por kjo nuk ka pikën e rëndësisë.

Çfarë fitoi Trumpi me këtë vrasje?

Së pari enthuziazmoi, deri në ekstazë, bazën e tij evangjeliste dhe lobin Hebre të USA. Për rrjedhim baza republikane është solide në mbështetje të tij në Nëntor.

Së dyti, i hoqi nga duart Neokonservatorëve iniciativën kundër tij.

Së treti, ata që paguajnë Pelosin, e detyruan këtë të fundit të dorëzojë akuzat në Senat.

Së katërti, i dha një sinjal të fortë Arabisë Saudite, e cila nuk mund të dalë nga tutela amerikane.

Së pesti, si ai, si Irani, i dhanë të kuptojnë njeri-tjetrit se të dy palët kanë saktësi në goditje, por USA ka supremaci totale ushtarake, kështu që është më mirë të bisedojnë se sa ti hyjnë një lufte të pashpresë. Pas fitores së tij në Nëntorin e ardhshëm, unë besoj se Trump do të realizojë një marrëveshje solide me Iranin.

Së gjashti, me dorën e Irakut, parlamenti i të cilit ka kërkuar largimin e trupave të huaja nga Iraku, çka i heq bazën ligjore trupave amerikane për të qëndruar në Irak, ai po realizon, pa ‘djegur’ duart e tij, politikën e tij të tërheqjes nga Lindja e Mesme. Po ta kishte marrë vetë iniciativën do ti kishte të gjithë kundër në Washington.

Së shtati, ai nuk i ka detyrim sot asnjërit prej lobeve luftënxitës, për të hyrë në luftë.