Ish-profesori lypës në London dhe kufijtë e Kosovës - Nga Fazli Mazreku
- Nga: Fazli Mazreku
Ngjarje e jetuar
Këtë të premte në London dolëm për shopping, siç e kemi për qejf me thënë ne imigrantet e natyralizuar. Ishte mesdite, piku i trafikut dhe si zakonisht në këtë kohë, pritjet në kryqëzimet e qytetit, në dritë të kuqe, mund të zgjasin edhe deri në dhjetë minuta. Rigonte shi dhe ishte mot i ngrohtë si në pranverën e hershme.
Papritmas, na u afrua tek dritarja e automjetit një njeri i panjohur me një copë letër të grisur nga paketa e cigareve ku shkruhej: “Jam pa strehë dhe më duhet ndihmë”. Bashkëshortja më "urdhëroi" të hap dritaren dhe pa një, pa dy, si gjithmonë, i dha një kartmonedhë personit që lypte ndihmë.
Lypësi (edhe pse ka shumë rrallë në qytet) kur u afrua te dritarja e pa flamurin e Kosovës na pyeti: “Oh! Ju jeni nga Kosova?”
Bashkëshortja pa më dhënë mundësinë që të pegjigjem tha: “Po, nga Kosova jemi.”
Lypësi duke menduar se do të ndihemi më mirë vazhdoi: “Hvala!”
Bashkëshortja ime me nxitim ia ktheu: “Ka falemnderit në Kosovë e jo hvala!”
Lypësi u ndie shumë keq dhe menjëherë pyeti se si e thoni në Kosovë.
Ne të dy, që të ndiheshim sa më patriotë folëm në sinkron: “Ju falemnderit duhet të thoni!”
Lypësi u përgjigj: “Falemnderit, falemnderit!”

Meqenëse karvani i automjeteve nuk po levizte ne vazhduam bisedën.
Bashkëshortja vazhdoi me pyetjen: “A mos keni prejardhje evropiane?”
Lypësi u përgjigj: “Jo, jam lindur e rritur në Kanada.”
Dhe vazhdoi: “Me falni për gafën e bërë pa qëllim! Unë me sa di, harta e re politike e botës akoma nuk i ka ravijëzuar kufijtë shtetërorë të Kosovës!”
Unë, duke parë se bashkëshortja nuk ka pyetje tjetër iu drejtova lypësit: “Si e dini këtë?”
Lypësi u përgjigj: “Unë jam një ish-profesor i dështuar që e dua këtë mënyrë jetese!”
Ne, duke mbetur të stepur me bisedën e “profesorit të dështuar” (!?) u përshendetëm me të. Ai vazhdoi punën e tij me të tjerë njerëz dhe ne vazhduam vozitjen duke u zhytur në zhurmën dhe tymin e automjeteve…





















